Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në hendboll (meshkujt) po vazhdon të përgatitet për Botërorin që nis pas pak ditësh në Spanjë. Kosova fitoi të drejtën e pjesëmarrjes duke fituar turneun IHF Trophy Intercontinental dhe si e tillë llogaritet ndër më të dobëtat e ngjarjes, ku do të marrin pjesë 24 përfaqësuese.
Planet e Kosovës janë të prishë planet e përfaqësueseve të mëdha, por edhe nëse nuk merr rezultate të mira, të paktën do të marrë trajtim të barabartë në një vend ku sportistët kosovarë deri më tash janë diskriminuar, e shpesh edhe penguar të garojnë, shkruan sot Koha Ditore.
E përditshmja e madhe spanjolle “AS” të enjten ia ka kushtuar një shkrim përfaqësueses së Kosovës, duke e titulluar “Kosova, një autsajdere e barabartë”. Autsajdere për shkak të cilësisë dhe e barabartë pasi do të paraqitet me flamur e himn si të gjitha përfaqësueset e tjera, gjë që deri më tash në Spanjë nuk ishte e zakonshme për sportistët kosovarë.