Kosova nënshkruan marrëveshje 96 milionë euro me Bankën Botërore

Prishtinë | 23 Mar 2026 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë nënshkruar sot dy marrëveshje në vlerë totale prej 96 milionë euro, me qëllim forcimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në Kosovë.

Marrëveshjet përfshijnë Projektin për Zhvillimin e Sektorit Financiar (FSDP) me vlerë prej 50 milionë euro, si dhe Projektin për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0 (TTFP 2.0), i cili përbëhet nga kredi prej 35 milionë euro dhe grant prej 12 milionë euro.

Këto projekte synojnë të mbështesin reforma strukturore dhe investime strategjike në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Projekti për zhvillimin e sektorit financiar, do të mbështetesë themelimin dhe funksionalizimin e Bankës Zhvillimore, kapitalizimin e institucioneve kyç financiare, zgjerimin e instrumenteve të garancisë kreditore për bizneset, si dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne të pagesave përmes sistemit të pagesave të shpejta.

Ndërkaq, Projekti për lehtësimin e tregtisë dhe transportit synon përmirësimin e infrastrukturës dhe procedurave në pikat kufitare, digjitalizimin e proceseve tregtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut, duke e afruar edhe më tej vendin me rrjetet dhe standardet evropiane.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se këto marrëveshje përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ato përmirësojnë qasjen në financa për bizneset dhe rrisin efikasitetin e tregtisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në modernizimin e ekonomisë sonë.

Ndërkaq, Xiaoqing Yu, përfaqësuese e Bankës Botërore, falënderoi ministrin Murati për bashkëpunimin efektiv, shprehu optimizëm për zbatimin në kohë të projekteve dhe riafirmoi angazhimin e Bankës Botërore për thellimin e bashkëpunimit në nismat e ardhshme.

“Këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të ekonomisë, lehtësimit të aktivitetit tregtar dhe përshpejtimit të integrimit ekonomik të Kosovës në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme