Delegacioni i Kosovës për dialogun me Serbinë, i kryesuar nga Avni Arifi, , kanë zhvilluar një takim me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, kryesuar nga Thomas Busch, në Bruksel, transmeton “Zëri.info”.
Me këtë rast kryesues të delegacionit nga Kosova kanë prezantuar rezultatet e punës së tyre në procesin e dialogut teksa kanë ngritur edhe çështjen e moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.
Delegacioni i Kosovës, përpara zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe 28 anëtarëve të saj, ngritën çështjen e mos zbatimit të marrëveshjes së energjisë, menaxhimit të integruar të kufijve, pengesat në hapjen e urës së Mitrovicës, mosnjohjen së diplomave nga ana e Republikës së Serbisë dhe pengesave serioze në lirinë e lëvizjes.
Delegacioni i Kosovës, i përkrahur edhe nga BE, bëri edhe një herë të qartë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë në asnjë mënyrë nivel i tretë i pushtetit, por do të jetë Asociacion brenda përbrenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.