E suksesshme ishte dita e parë e garave në Grand Prix në Tashkent për Gjermaninë, Slloveninë e Mongolinë. Tri vendet me xhudo të zhvilluar e fituan nga një medalje të artë të premten kur u zhvilluan garat në pesë kategori.
Dy vende të tjera të para u rezervuan për një shtet të vogël që në sport po bëhet i njohur përmes xhudos. Për Kosovën. Kështu rrugëtimi thuajse i jashtëzakonshëm i xhudisteve kosovare ka vazhduar dhe ka prekur nivel të ri, shkruan sot Koha Ditore.
Për herë të dytë rresht në një garë të madhe të turit botëror të xhudos, në ditën e parë në finale u paraqitën tri kosovare, Distria Krasniqi në kategorinë deri 48 kilogramë, Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë. Dy javë më parë në turneun Grand Slam të Abu Dhabit medalje të artë fitoi Nora, ndërsa Distria e Majlinda u ndalën në finale.
Kuka i lumtur me ecurinë
Të premten, në ditën e parë të turneut Grand Prix në Tashkent të Uzbekistanit rolet u ndërruan paksa. Nora u ndal në finale, ndërsa Distria e Majlinda shkuan deri në fund dhe fituan medalje të arta.
Kështu Kosova ishte bindshëm vendi më i suksesshëm pas ditës së parë të garave me dy medalje të arta e një të argjendtë.
Distria, Majlinda e Nora ishin të vetmet e ekipit të Kosovës që garuan të premten. Loriana Kuka garon të dielën.