Manchester City ka dëshmuar të martën se llogarit shumë për të ardhmen në portierin e Kosovës, Arijanet Muriq, por po ashtu që shtatlarti nuk është ende i gatshëm për të ruajtur portën e kampionit të Anglisë në futboll.
City ia ka vazhduar Muriqit kontratën edhe për tre vjet dhe menjëherë e ka huazuar te Nottingham Foresti i kategorisë së dytë angleze. Huazimi i Muriqit është i vlefshëm për një edicion.
Huazimi i Muriqit vetëm ka vërtetuar se aktualisht përfaqësuesja e Kosovës në futboll është një ekip në “lëvizje”. Shumë lojtarë të Kosovës kanë kryer transferime gjatë kësaj vere, ndërsa lëvizje të tjera priten në ditët dhe javët në vazhdim.
Në përgjithësi lëvizjet kanë kahe pozitive, duke dëshmuar rritjen e vazhdueshme të përfaqësueses së Kosovës.