Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të reaguar në rast të ndonjë fatkeqësie të madhe natyrore në vend.
Kështu ka vlerësuar Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë.
Ai në Ditën Botërore për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera, ka thënë se është e domosdoshme ngritja e këtyre kapaciteve.
Postimi i plotë i tij:
Sot është 13 tetori, Dita Botërore për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera. Qëllimi i shënimit të kësaj dite e cila shënohet në të gjithë botën, është vetëdijesimi i njerëzve për masat që duhet t’i marrin në zvogëlimin e rrezikut ndaj katastrofave të ndryshme. Fatkeqësitë natyrore janë të paparashikueshme, me intensitete dhe efekte të ndryshme, të cilat mundë të godasin çdo moment duke shkaktuar humbje të konsiderueshme të jetëve të njerëzve dhe të mirave materiale.
Republika e Kosovës, në rast të ndonjë fatkeqësie më të madhe natyrore, edhe pse ka një kuadër të konsoliduar ligjor, plane dhe strategji të miratuara, kur jemi te gjendja aktuale në terren, nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore, logjistike dhe operacionale, trajnime dhe ushtrime të mjaftueshme, si dhe pajisje dhe mjete të duhura për të reaguar në këso lloj situata.
Prandaj, është e domosdoshme ngritja dhe zhvillimi i këtyre kapaciteteve, ndarje më e madhe e mjeteve financiare për investime, si dhe janë më së të nevojshme trajnime, plane dhe përgatitje në vazhdimësi. Ndërsa, ushtrimet praktike të koordinuara të të gjitha institucioneve kompetente, janë mënyra më e mirë për të qenë sa më të gatshëm dhe më të përgatitur për t’i përballuar fatkeqësitë e mundshme natyrore.