Që nga dje Kosova nuk ka ambasadorë në Washington DC pasi Vlora Çitakut, ambasadore për 6 vite në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka kaluar mandati. Nëpërmjet një komunikate, Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se Çitaku e ka përfunduar me sukses mandatin e saj.
Ajo ishte emëruar në këtë pozitë si ambasadore politike në vitin 2015 me dekretimin e ish-Presidentes, Atifete Jahjaga.
Por, ajo çfarë i mungonte këtij njoftimi të MPJ-së ishte emri që do ta zëvendësoj Çitakun në Ambasadën e Kosovës në Washington DC.
Kështu pozita e ambasadorit ka mbetur vakante në këtë ambasadë të rëndësishme.
Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka pyetur ministrinë e jashtme kosovare nëse Qeveria në detyrë do të synojë emërimin e ambasadorit të ri në Washington DC.
Tutje, Reporteri.net ka dërguar pyetje në adresë të MPJ-së edhe për çështjen nëse ka edhe të tjera vende ku Kosova, ndonëse ka ambasadë të hapur, nuk përfaqësohet në rangun e ambasadorit.
Por MPJ nuk ka kthyer përgjigje.
Por gazeta ka arritur të kuptojë nga burimet e saj brenda MPJ-së, se përveç se në Washington DC Kosova nuk ka ambasadorë edhe në disa nga kryeqytetet më të rëndësishme të botës.
Krahas Washington DC, Kosova nuk ka ambasador as në Londër, kryeqytetin e Britanisë së Madhe, ku më parë pati shërbyer Lirim Greiçevci e Muhamet Hamiti. Tani kjo ambasadë mbulohet nga një i ngarkuar me punë.
Por edhe Brukseli, kryeqyteti i Belgjikës, ka mbetur pa shef të misionit diplomatik pasi ish-ambasadorit Bernard Nikaj i ka përfunduar mandati.
E aty po i prin misionit Astrit Zemaj si i ngarkuar me punë.
Por edhe ambasada e Kosovës në Tokio të Japonisë ka mbetur pa udhëheqësin e misionit diplomatik.
Reporteri.net merr vesh se edhe ambasadorit në Paris, Qëndrim Gashi, i ka përfunduar mandati, megjithatë ai ende vazhdon të qëndrojë deri në emërimin e pasuesit të tij.
Njohësi i diplomacisë dhe profesori universitar, Afrim Hoti, thotë se është imediate restaurimi i diplomacisë kosovare.
Sipas Hotit në këto kryeqytete duhet emëruar sa ma shpejtë ambasadorët e rinj të karrierës.
‘’Nisur nga fakti që vendi ndodhet para sfidave të mëdha, gjithsesi se është nevojë imediate restaurimi i diplomacisë kosovare, e cila është pothuajse jofunksionale. Në qendrat kryesore vendimmarrëse duhet emëruar diplomatët më të mirë të karrierës që ka vendi’’, tha Hoti për Reporteri.net.
Në bazë të Ligjit për MPJ dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, emërimi i shefave të misioneve diplomatikë bëhet në konsultim ndërmjet presidentit, kryeministrit dhe ministrit të MPJ-së.
MPJ është institucioni që dorëzon listën me emrat e ngushtë në Komisionin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Kuvendit për verifikim nëse të propozuarit i plotësojnë kriteret e parapara me ligj.
E pas përgjigjes së Komisionit të Kuvendit, Presidenti në konsultimit me Kryeministrin dhe Ministrinë e MPJ-së vendos nëse njëri nga kandidatët duhet të emërohen për në shtetin pranues.
I njëjti ligj sanksionon që së paku 50% e të emëruarve duhet të jenë nga diplomatët e karrierës.
Gjysma tjetër mund të jenë emra jashtë anëtarëve të shërbimit diplomatik të Kosovës, të cilët ndryshe njihen si ambasadorë politik.