Në gushtin e vitit 2015 Kuvendi i Kosovës votoi pro themelimit të Gjykatës Speciale.
Ideja për themelimin e kësaj gjykate doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorin zviceran, Dick Martyt. Ky i fundit, pretendonte se pjesëtarët e UÇK-së kanë kryer krime lufte.
Edhe pse kjo gjykatë vitin e kaluar u funksionalizua tërësisht, Prokuroria Speciale ende nuk ka nisur publikimin e aktakuzave.
Arianit Koci njëri prej avokatëve mbrojtës në Gjykatën Speciale nuk beson që ka më arsye objektive për vonesë.
“Tani, gjykata është themeluar, dhe Prokuroria mund të inicioj raste. Mund të jetë që provat materiale, nuk janë në korrelacion me dëshmitë e dëshmitarëve. Sidoqoftë, nëpër këtë proces duhet të kalojmë, dhe sa më shpejtë që fillon, më shpejtë do të përfundoj”, ka thënë Koci për Lajmi.net.
Sipas tij, të gjithë jemi peng i kësaj situate.
“Jam i sigurt që lufta e UÇK-së, nuk do të njolloset, siç nuk është njollosur edhe në Tribunalin e Hagës. Dihet kush ka qenë agresori dhe xhelati, e kush ka qenë viktimë dhe ka bërë luftë mbrojtëse”, është shprehur Koci.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Katerina Trendafilova vizitoi Kosovën në nëntor të 2017-ës, ku tha se asnjë amnisti nuk mund t’i shpëtojë të akuzuarit nga Gjykata Speciale.
Pas vizitës së saj, në dhjetor të po të njëjtit vit ata që votuan pro Speciales tentuan ta shfuqizojnë.
Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj deklaroi se kjo gjykatë është e padrejtë për Kosovën dhe ia rëndon imazhin.
Mirëpo, pas kundërshtimeve të SHBA-së dhe BE-së krerët e vendit dhe deputetët u tërhoqën nga nisma për shfuqizim.