Kosova për herë të parë pas nënshkrimit të Traktatit të Athinës në vitin 2005 merr udhëheqjen e Presidencës së ECRB

Prishtinë | 06 Qer 2024 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka marrë udhëheqjen e Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë (ECRB), për herë të parë pas nënshkrimit të Traktatit të Athinës në vitin 2005.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Rregullatorit të Energjisë, përmes një njoftimi në rrjete sociale.

“Bordi Rregullativ i Komunitetit të Energjisë (ECRB), pas dështimit në përzgjedhjen e Presidentit ne dy takimet e rregullta, në takimin e tij të jashtëzakonshëm të mbajtur më 05.06.2024 në Athinë, pas disa raundesh votimi, ka zgjedhur Kryesuesin e Zyrës së Rregullatorit për Energji z. Ymer Fejzullahu si Presidentin e ri të ECRB-së”, thuhet në njoftim.

ECRB është organi i pavarur rajonal i rregullatorëve të energjisë në Komunitetin e Energjisë, dhe drejtohet nga Bordi i përfaqësuesve të nivelit të lartë nga agjencitë kombëtare rregullatore të energjisë të palëve kontraktuese, vëzhguesve dhe pjesëmarrësve të Komunitetit të Energjisë.

Mandati i Fejzullahut si President i ECRB është në kohëzgjatje prej dy vitesh. Presidenti i ECRB-së ka një rol unifikues dhe vepron për të siguruar që të gjithë anëtarët dhe pjesëmarrësit e ECRB-së të punojnë me një qëllim të përbashkët për të përmbushur rolet e tyre sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Në fjalën e tij me rastin e pranimit të detyrës se re, Fejzullahu falënderoi të gjithë për besimin e dhënë me rastin e përzgjedhjes si President i ECRB-së.

“Është nder dhe privilegj për mua por njëkohësisht është edhe përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe udhëheqja e ECRB-së. Shkëmbimi i njohurive dhe përvojave rregullative është theksuar si asnjëherë më parë në vitet e fundit kur të gjitha shtetet tona kanë kaluar një krizë të paprecedentë energjetike, por me përvojën që kemi ndare me njëri-tjetrin ia kemi dalur mbanë të tejkalojmë këtë krizë me pasoja minimale. Tani para nesh, ndër tjerash, kemi transpozimin e paketës së fundit të Direktivave Evropiane të Energjisë si dhe zbatimin e saj, dhe kjo do të sjellë shumë sfida, por besoj shumë se me ndihmën dhe kontributin e secilit prej nesh do t’i tejkalojmë së bashku.”

Të ngjashme