Departamenti i Statistikave i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka njoftuar Ministrinë e Financave se statistikat fiskale të Qeverisë së Kosovës janë publikuar për herë të parë në Vjetarin Ndërkombëtar të Statistikave Financiare të Qeverisë (SFQ).
Përfshirja e Kosovës në këtë publikim të FMN-së paraqet një hap shumë të rëndësishëm në ngritjen e mëtutjeshme të transparencës fiskale të Qeverisë së Kosovës, dhe vjen si rezultat i një pune të gjatë të Ministrisë së Financave në partneritet me projektin e USAID Partneritet për Zhvillim, dhe me asistencën teknike të FMN-së.
Adaptimi i standardit të FMN-së për raportimin e statistikave fiskale sipas manualit të SFQ (GFS) dhe publikimi i të dhënave në vjetarin e FMN-së është dëshmi e integritetit dhe transparencës së lartë të raportimit financiar të Qeverisë së Kosovës.
Veç tjerash, ky raportim mundëson krahasim konsistent të performancës fiskale të Kosovës me mbi 140 vendet tjera anëtare të FMN-së, duke ofruar kështu më shumë llogaridhënie ndaj qytetarit.
Kjo arritje e fundit është vetëm një nga rezultatet e shumta të reformave që Ministria e Financave ka ndërmarrë, me mbështetjen e USAID Partneritet për Zhvillim për ngritjen e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies financiare.
Vitin e kaluar, Ministria e Financave ka adaptuar për herë të parë klasifikimin e Kombeve të Bashkuara mbi funksionet e Qeverisë, klasifikim ky që krijon infrastrukturën e nevojshme për planifikimin e ndarjeve buxhetore sipas prioriteteve strategjike dhe mundëson përputhje më të mirë të buxhetit me nevojat e qytetarit.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Financave ka pasuruar raportet tremujore të Thesarit me informata më të detajuara në rajon mbi transaksionet qeveritare, duke mundësuar krahasueshmëri më të thjeshtë dhe transparente në mes të planifikimit dhe shpenzimit të fondeve publike.
Ministria e Financave mbetet e përkushtuar në ngritjen e kualitetit të menaxhimit të financave publike përmes adaptimit të praktikave më të mira ndërkombëtare.