Pas konferencave të suksesshme në Mynih (2015) dhe në Dortmund (2016), sot ka filluar punimet konferenca “Balkan Sourcing Conference/ Einkaufsinitiative West Balkan”, e cila po mbahet në Beograd.
Në kuadër të konferencës do të zhvillohen takime B2B ndërmjet firmave të njohura gjermane dhe bizneseve nga Ballkani Perëndimor.
Kosova do të përfaqësohet për herë të parë në këtë konferencë. Nga Kosova në takimet B2B me firma gjermane, do të marr pjesë IMK Steel Construction Factory.
Konferenca organizohet nga Asociacionit Federal për Materiale, Blerje dhe Logjistikë (BME) në bashkëpunim me Ministrinë Federale për Ekonomi dhe Energji dhe Odat Ekonomike Gjermane (DIHK), raporton RTKlive.
Nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në konferencë po merr pjesë drejtoresha menaxhuese Nora Hasani Llapashtica.
“Konferenca është iniciuar nga qeveria gjermane, si vazhdimësi e procesit të Berlinit për ta mbështetur zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkani Perëndimor. Ndërmarrjet gjermane, përmes kësaj iniciative inkurajohen që furnizimet t’i bëjnë tek prodhuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një mundësi jashtëzakonisht e mirë për bizneset pjesëmarrëse. Në kuadër të konferencës do të ketë takime B2B, nga të cilat priten rezultate konkrete”, ka theksuar Hasani Llapashtica.
Drejtoresha e OEGjK-së ka pohuar se nisma të tilla duhet të bëhen akoma më të njohura, me qëllim që të rritet interesimi i bizneseve nga Kosova për të marrë pjesë.
Për konferencën që do të mbahet sivjet, janë regjistruar 48 kompani gjermane, ndër ta Airbus, TetraPak, Draexlmaier, Bosch, KNAUF, KHS GmbH, Richard Bergner Holding GmbH & Co. KG etj.
Kompanitë vendore janë inkurajuar të aplikojnë, duke u bazuar në kërkesat dhe profilet e kërkuara nga kompanitë gjermane. Për takimet B2B kompanitë pjesëmarrëse vendore janë përzgjedhur drejtpërsëdrejti nga kompanitë gjermane.
“Prej 400 ndërmarrjeve nga vendet e rajonit që kanë aplikuar për të marrë pjesë në takimet B2B me bizneset gjermane, janë përzgjedhur rreth 140 biznese”, ka deklaruar Hasani Llapashtica.
OEGjK-ja shpreson që në Konferencën që do të organizohet vitin e ardhshëm, të ketë më shumë pjesëmarrës nga Kosova.