Më pak se një muaj (15 -18 tetor) na ndajnë nga Kuvendi i Përgjithshëm i INTERPOL-it, i cili do të mbahet në Kili. Mirëpo edhe pse Kosova tashmë ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, Qeveria në dorëheqje e Kosovës po paralajmëron tërheqjen nga votimi, njëjtë sikurse kishte bërë në vitin 2017 nga frika se nuk do të arrihet të sigurohen votat e nevojshme.
Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë deklaruar se do ta pezullojnë votimin po qe se rrethanat nuk janë të favorshme për Kosovën. Në anën tjetër, përfaqësues të qeverisë në dorëheqje konsiderojnë se Kosova nuk dëmtohet edhe nëse tërhiqet për sivjet.
Në anën tjetër Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë, njëherësh pjesëtar i qeverisë në dorëheqje, ka deklaruar për “Zërin” se tërheqja e Kosovës nga procedura e votimit për këtë vit nuk është dëmtuese.
“Mendoj se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është interes strategjik i Kosovës dhe i tërë rajonit. Sidoqoftë, angazhimi në këtë duhet të jetë në koordinim të plotë me partnerët strategjikë të Kosovës. Edhe tërheqja nga procedura për vitin 2019 nuk është dëmtuese”, ka thënë Ramadani.
Tutje ai tha se “Në vitin 2020 Kosova dhe partnerët duhet të fillojnë një program gjithëpërfshirës që nga fillimi i vitit”.