Kosova ka pësuar humbje nga Sllovakia me rezultat 91:67 (21:9, 21:20, 20:13, 29:25), në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023.
Mungesa e disa basketbollistëve te Dardanët dhe shtatëlartësia e kundërshtarëve, bëri që Kosova të pësojë humbjen e parë në dritaren e parë të parakualifikimeve.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, duke hyrë në një seri prej 11:0. Por, Dardanët u kundërpërgjigjën me gjashtë pikë radhazi për 11:6. Më pas sllovakët kontrolluan lojën dhe përfunduan çerekun e parë në të mirë të tyre 21:9. Në periudhën e dytë zhvillohet lojë e baraspeshuar, me Dardanët, që kësaj radhe u treguan ‘arrë e fortë’ për sllovakët. Kjo pjesë përfundoi 21:20, derisa rezultati pas pjesës së parë ishte 42:29.
Pjesën e dytë e nisi shumë mirë Kosova me një epërsi 4:9, por vendasit përgjigjën me tetë pikë radhazi. Më pas zhvillohet një lojë e barabartë, por në fund të periudhës së tretë kishte një rënie te Kosova dhe rezultati në semafor pas 30 minutave ishte 62:42. 10 minutat e fundit ishin vetëm formalitet, ku përkundër disa gjuajtjeve të sakta për tri pikë të Kosovës, Dardanët nuk arritën të bëjnë më shumë dhe pësuan në fund 91:67.
Te Sllovakia më i miri ishte Vladimir Brodziansky me 26 pikë e 12 kërcime, kurse te Kosova më të dalluarit ishin Drilon Hajrizi me 17 pikë, 5 kërcime, 6 asistime, Erjon Kastrati me 14 pikë dhe Fisnik Rugova me 11 pikë e 7 kërcime.
Në ndeshjen tjetër të Grupit B, Islanda ka mundur Luksemburgun 90:76.
Sllovakia, Islanda dhe Kosova kanë grumbulluar nga pesë pikë, kurse Luksemburgu ndodhet e fundit me tri pikë. Ndeshja e ardhshme për Kosovën do të jetë më 28 nëntor, nga ora 16:00 me Islandën, takim që po ashtu do të zhvillohet në Bratislavë. /Telegrafi