Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim menaxherin e Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli.
Gatë takimit, u bisedua për progresin që është arritur në Kosovë si dhe për projektet e përbashkëta për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Kryeministri Mustafa foli për prioritetet e Qeverisë duke theksuar projektet në energjetikë, në bujqësi, në zgjerimin e sistemit të ujitjes, përgatitjen dhe punësimin e të rinjve në tregun e punës, efiçiencën në energjetikë si dhe reformat që po ndërmerren në fuqizimin e sektorit privat.
Duke e falënderuar për përkrahjen e deritashme të Bankës Botërore, kryeministri Mustafa theksoi angazhimin e Qeverisë në investimet kapitale, në arsim, në shëndetësi e fusha të tjera të jetës, në kuadër të zhvillimit ekonomik të vendit.
Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, vlerësoi lartë të arriturat në Kosovë në shumë fusha.
Mantovanelli foli edhe për punën që po bëhet në përgatitjen e strategjisë së Bankës Botërore për ndarjen e fondeve për Kosovën në periudhën e ardhshme, duke përmendur mundësitë që Banka Botërore të përkrah projektet energjetike, projektet për rritje ekonomike të qëndrueshme, për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë dhe gratë, projektet në bujqësi, në infrastrukturë, teknologji informative, e fusha të tjera.
Strategjia e Bankës Botërore do të jetë kompatibile me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe programin qeverisës të Kosovës.
Gjatë takimit, ishte konkluzion i përbashkët se Kosova, falë reformave dhe përkushtimit të deritashëm, ka shënuar rritje solide ekonomike dhe ka arritur t’i adresojë disa prej sfidave të deritashme.