Kosova pranohet në EUROSIM, dëshmoi cilësi për organizime akademike

Prishtinë | 31 Tet 2016 | 15:33 | Nga

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, edhe zyrtarisht e ka pranuar vendimin për pranimin e Shoqatës së Kosovës për Modelim dhe Simulim (KA-SIM) në EUROSIM (European Federation of the Association of Simulations), me seli në Holandë.

Dokumentin zyrtar të pranimit, rektorit ia ka dorëzuar përfaqësuesi i EUROSIM-it, prof.dr. Felix Breitenecker, gjatë punimeve të konferencës së Pestë Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji e Inovacion 2016, që i zhvilloi punimet në Durrës të Shqipërisë, nga 28 deri më 30 tetor.

KA-SIM ishte vëzhguese në EUROSIM nga viti 2011 dhe pranimi zyrtar tregon se ky asociacion ka përparuar në fushat akademike. Kjo është dëshmuar edhe nga vetë Federata EUROSIM, përfaqësuesit e të cilës, pas kërkesës së rektorit Hajrizi për anëtarësim të plotë, kanë vërtetuar se UBT, pjesë e të cilit është KA-SIM, ka organizuar shumë konferenca shkencore, seminare e akademi verore dhe se niveli i tyre shkencor ka qenë i lartë, gjithnjë me përmirësime.

Rektori Hajrizi theksoi se pranimi zyrtar i KA-SIM në EUROSIM hap një dritare të re të komunikimit akademik, ndërsa stafit akademik të UBT-së i krijohen mundësi që të marrë pjesë në konferenca dhe në ngjarje të tjera ndërkombëtare, të organizuara nga EUROSIM.

Ngritja e vazhdueshme e cilësisë akademike në UBT dhe njëkohësisht organizimi i shumë konferencave dhe ngjarjeve të tjera me karakter ndërkombëtar, kanë qenë pikat kyçe që KA-SIM-in dhe UBT-në i kanë bërë pjesë të organizatës prestigjioze EUROSIM pa asnjë dilemë.

Prof. dr. Felix Breitenecker, me rastin e zyrtarizimit të anëtarësimit të KA-SIM në EUROSIM theksoi pikërisht këto dy elemente, ngritjen e nivelit të punës akademike dhe organizimin e konferencave ndërkombëtare, që e bëjnë UBT-në anëtar të barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të kësaj organizate, të cilët bashkëveprojnë dhe organizojnë konferenca ndërkombëtare shkencore, prodhojnë publikime në fushën e modelimit dhe simulimit.

Me anëtarësimin në EUROSIM, UBT i ka siguruar edhe një anëtarësim ndërkombëtar Republikës së Kosovës, në radhën e shumë anëtarësimeve të tjera.

Ky anëtarësim nënkupton se, falë UBT-së, Kosova do të jetë pjesë në këtë organizëm të rëndësishëm ndërkombëtar për modelim dhe simulim, krahas shteteve më të fuqishme, siç janë shoqatat simotra të universiteteve nga Gjermania, Austria, Zvicra, Spanja, Kroacia, Rusia, Çekosllovakia, Hungaria, Italia, Letonia, Polonia, Danimarka, Finlanda, Norvegjia, Suedia etj.

Anëtarësimit në EUROSIM i ka paraprirë themelimi i Shoqatës së Kosovës për Modelim dhe Simulim (KA-SIM), e themeluar në vitin 2009 nga UBT-ja, saktësisht nga rektori prof.dr.Edmond Hajrizi. KA-SIM është themeluar si pjesë e Shoqatës së Kontrollit, Automatizimit dhe Sistemeve Inxhinierike të Kosovës (KA – RAST), e regjistruar si organizatë jofitimprurëse më 2006.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme