Kosova privohet nga pjesëmarrja në shumë prej aktiviteteve të organizuara nga OSBE-ja në fushën e sigurisë për vendet e Evropës Juglindore.
Mosanëtarësimi në OSBE ka bërë që në të gjitha aktivitetet që organizon kjo organizatë ndërkombëtare, Kosova të mos marrë pjesë, vetëm për faktin se nuk është anëtare e OSBE-së. I tillë ishte edhe rasti i kursit të trajnimit njëjavor (26 shkurt-1 mars 2018 ), i organizuar pranë Akademisë shqiptare të Sigurisë në Tiranë, që kishte në fokus rritjen e njohurive dhe aftësive të profesionistëve të drejtësisë penale nga Evropa Juglindore në fushën e ekspertizës kriminalistike të të dhënave “live”, shkruan sot Koha Ditore.
Ky kurs, i cili u organizua nga Departamenti i Sekretariatit të OSBE-së për Kërcënimet Transnacionale, me mbështetjen e prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe të Akademisë shqiptare të Sigurisë, u ndoq nga 20 profesionistë që shërbejnë pranë institucioneve të ndryshme të drejtësisë penale nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia.