Mungesa e 4 anëtarëve të Komisionit për shqyrtimin e ankesave për të huajt, i ka shkaktuar probleme shtetases ruse, Irina Jones, e cila është e martuar me një amerikan që punon në kampin ushtarak Bondsteel.
Dy herë radhazi më herët, ajo kishte pasur vizë për Kosovë ku jetonte me bashkëshortin dhe dy fëmijët, ndërsa herën e tretë Ambasada e Kosovës në Maqedoni ia kishte refuzuar vizën.
Ambasada pas refuzimit që ta pajiste me vizë kosovare i kishte sugjeruar që të bënte ankesë në Zyrën për të Huajt në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Por, janë bërë gati 2 muaj që ankesa nuk është shqyrtuar si pasojë e mungesës së anëtarëve të Komisionit që merret me shqyrtimin e ankesave për të huajt, pasi ata tashmë i kanë ndërruar pozitat dhe s’mund të jenë pjesë e Komisionit.
Bashkëshorti i shtetases ruse, Jerry Paul Jones, ka thënë se po trajtohen padrejtësisht edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, sepse të gjitha procedurat që ua kanë kërkuar i kanë kryer dhe nuk kanë marrë përgjigje.