Në kujdestarinë e qeverisë franceze, në bashkëpunim me OKB-në, OECD-në dhe organizata të tjera ndër-shtetërore dhe jo-qeveritare, sipas propozimit të Presidentit francez, Makron zhvillohet Konferenca Ndërkombëtare e nivelit të lartë “Jo Para për terrorin”, me praninë e ministrave të brendshëm, të drejtësisë, të jashtëm nga gjithë vendet e globit.
Në këtë konferencë, Kosova përfaqësohet nga dy ministrat, Behgjet Pacolli, dhe ministri i brendshëm, Bejtush Gashi.
Në panelet e ndryshme kryesuar nga ministrat e jashtëm, të brendshëm, të drejtësisë së Francës, do të diskutohet për intensifikimin e luftës së përbashkët për të ndërprerë burimet e financimit të ekstremizmit dhe terrorizmit, me të gjitha mjetet, ato ligjore, të inteligjencës, etj.
Konferenca, ku marrin pjesë dhjetëra burrështetas nga gjithë bota është rast i mirë për kontakte dypalëshe në funksion të njohjeve, anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe delegacioni ynë shtetëror ka në agjendë shumë takime.
Në këtë konferencë, Kosova do të mbrojë qëndrimin e saj të njohur botërisht se integrimi ndërkombëtar i vendit në strukturat globale të sigurisë, është me interes reciprok dhe është shërbim i madh që Kosova, shtet i ri, i bën luftës ndërkombëtare kundër një të keqeje të përbashkët.