Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë pranuar për punësim rreth 190 mjekë specialist nga lëmi të ndryshme.
Shemsi Veseli, anëtar i Bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është edhe një numër i mjekëve specialistë të papunë, ndonëse sistemi shëndetësor ka nevojë për ta.
“Përmbledhja e pozitave të shpallura nga konkursi i Ministrisë së Shëndetësisë për specialistët e papunësuar, është kryer si proces në aspektin profesional dhe janë 190 pozita në 40 profile që do të pranohen. Mund të them se ka shkuar mirë, ndonëse ka qenë një proces i ndërlikuar, pasi ka të bëjë me një numër të madh të profileve, e që ka qenë i menaxhuar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës”, ka deklaruar Veseli.
Rreth 260 mjekë specialistë, të profileve të ndryshme, kanë punuar me kontrata të përkohshme në Qendrën Klinike Universitare, deri në shpalljen e konkursit, ku më pas janë pranuar 190 prej tyre.
“Kanë mbetur jashtë sistemit edhe rreth 60 specialistë të papunë, e që duhet menduar se me krijimin e Qeverisë së re, krijimin e buxhetit edhe për ta, pasi që duhet të profilizohen, pasi ka nevojë shumë të madhe në spitale të përgjithshme në vende tjera të Kosovës”, ka shtuar ai.
Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit në largim të Shëndetësisë, ka thënë se synimi i këtij institucioni, ka qenë që asnjë mjek specialist të mos mbetet i papunë. Ndonëse kanë aplikuar 220 mjekë për punësim, vetem 190 prej tyre tashmë janë punësuar.
“Sa i përket specialistëve, mendoj se është një e arritur e madhe pasi që është hera e parë prej pasluftës që ministria arrin t’i punësojë me se 200 specialistë në spitalet rajonale dhe QKUK”.
“Numri i specialistëve që ndërkohë e kanë përfunduar specializimin, nuk mund të themi për ta, por në momentin që është mbyllur konkursi kanë qenë 240 specialistë, ndërkaq është arritur që të punësohen rreth 200 [prej tyre]” , ka pohuar Krasniqi.
Por, mjekët specialistë, të cilët kanë mbetur jashtë sistemit të shëndetësisë konsiderojnë se do të duhej që sa më shpejt t’u bëhet një zgjidhje e qëndrueshme.
Miranda Zeneli, mjeke specialist ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë u kishte premtuar se nuk do t’i lërë pa punë. Ajo ka qenë pjesë e konkursit të fundit, por, me daljen e rezultateve, ka mbetur jashtë sistemit të shëndetësisë.
Zonja Zeneli ka treguar se nëse nuk i bëhet ndonjë zgjidhje për punë, atëherë e vetmja rrugë, siç është shprehur ajo, mbetet ikja nga Kosova:
“Nëse nuk gjejmë punë brenda Kosovës, na mbetet të shohim ndonjë shtet tjetër që ka nevojë për mjekë, e na përkrahë për punësim. Përndryshe, si mjek i papunë, është gjendje shumë e vështirë”.
Ndërkaq, këshilltari Valbon Krasniqi ka deklaruar se gjithçka varet nga Qeveria e re, e cila pritet të formohet, në mënyrë që të shihet se çka do të vendoset për fatin e specialistëve të rinj, që kanë mbetur të papunë.
“Planet e Ministrisë së Shëndetësisë, kanë qenë që asnjë specialistë të mos mbetet pa punë, por kanë ndryshuar rrethanat politike dhe nuk mund të them asgjë tash për tash, ndonëse jashtë sistemit shëndetësor ka mbetur një numër i vogël”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, kuadrot mjekësorë të papunë tashmë kanë deklaruar se do të ikin jashtë Kosovës, e që një gjë e tillë ka qenë debat i gjerë, pasi që për tre vjetët e fundit kanë ikur më shumë se 400 mjekë në vendet e Bashkimit Evropian.
Kosova, për t’i përmbushur standardet evropiane, thonë njohësit çështjeve të shëndetësisë, duhet që t’i punësojë në institucionet publike shëndetësore edhe dy mijë mjekë e pesë mijë infermierë, aq sa edhe nevojiten për kokë banori.