Pavarësisht se Kosova në raportin e fundit të Bankës Botërore ka një parashikim pozitiv të rritjes ekonomike, ekspertët e çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve thonë se kjo rritje është e pamjaftueshme dhe e paqëndrueshme.
Banka Botërore në raportin e saj të fundit për ekonominë në Ballkanin Perëndimor, të publikuar një ditë më parë, ka vënë në pah se Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 4.4 për qind në vitin 2017, kurse ndërmjet viteve 2018-2020 rritja ekonomike parashihet të arrijë në 4.8 për qind.
Por, që kjo rritje ekonomike, sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, nuk ofron qëndrueshmëri në aspektin e zhvillimit afatgjatë të Kosovës.
“Kjo rritje ekonomike nuk është e mjaftueshme për të përmirësuar mirëqenien sociale dhe për të ofruar një qëndrueshmëri në aspektin e zhvillimit afatgjatë të Kosovës. Ne si Odë Ekonomike Amerikane e Kosovës, por edhe nga ekspert tjerë nga mekanizmat ndërkombëtarë financiarë është thënë se realisht Kosovës i duhet një rritje ekonomike që kalon normën e 7 – 8 për qind të rritjes ekonomike”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova përgjatë viteve ka pasur një rritje ekonomike e cila ka qenë e pamjaftueshme për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale, siç janë papunësia dhe varfëria.
“Së pari, këto norma 4 për qind me nivel të bruto produktit, prej rreth 6 milionë euro dhe bruto produktit për kokë banori rreth 3 mijë euro, tregojnë se Kosova ende gjendet në një zonë të rritjes ekonomike të pamjaftueshme, sepse këto norma me këtë nivel të bruto produktit për kokë banori, tregojnë se Kosova mbetet në nivelin më të pazhvilluar në Evropë”, thotë profesor Sadiku.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë është 30.6 për qind, kurse papunësia më e theksuar është te grup moshat 15-24 vjeç në 55.9 për qind.
Derisa, rreth 17.6 për qind të popullatës në Kosovë jeton në varfëri të plotë me vetëm 1.82 euro në ditë për një person të rritur, ndërsa 5.2 për qind e popullatës jeton në varfëri ekstreme me 1.30 euro në ditë.
Rritja ekonomike në Kosovë e cila kryesisht sipas profesor Sadikut është e varur nga konsumi, nga investimet publike, nga shpenzimet qeveritare, nuk mund të jetë e qëndrueshme.
Për të realizuar rritje ekonomike të qëndrueshme, thotë Sadiku, boshti i rritjes ekonomike duhet të jetë në sektorin privat.
“Për të hyrë në norma të qëndrueshme të rritjes ekonomike, kontribuuesi kryesor duhet të jetë sektori privat, investimet private dhe rritja e eksportit. Kjo mund të ndikojë në rritjen e bruto produktit për kokë banori. Rritja ekonomike dyfishohet në afat të gjatë me një qeverisje efektive dhe me rritje të përhershme të sektorit privat, krijimin e kompanive të reja dhe investimet e jashtme”, thotë Sadiku.
Edhe pse investimet e huaja vazhdimisht vlerësohen si mjete të domosdoshme për zhvillimin ekonomik, këto investime kanë shënuar rënie përgjatë viteve në Kosovë.
Derisa në vitin 2008, investimet e huaja ishin 355 milionë euro, në vitin 2017 investimet e huaja nuk ishin më shumë se 280 milionë euro.
Arian Zeka thotë se pa pasur rritje të investimeve direkte ndërkombëtare nuk mund të flitet për një rritje të përqindjes ekonomike në Kosovë.
“Zhvillimet politike sikur po e lënë në hije nevojën për promovim të vendit para investitorëve të huaj. Kosova gëzon një reputacion jo të mirë përpara investitorëve të huaj edhe gjitha zhvillimet politike, sidomos këto të ditëve të fundit, disa prej të cilave sugjerojnë edhe për një mungesë të stabilitetit në qeverisje nuk ndihmojnë në promovimin e imazhit te vendit dhe para investitorëve të huaj. Është nevojë urgjente që vendi të dëshmojë që ka stabilitet në qeverisje, përndryshe nuk do të arrijmë sukses të konsiderueshëm në tërheqjen e investitorëve”, thotë Zeka.