Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, ka organizuar një tryezë në të cilën u diskutua rreth zhvillimit dhe promovimit të turizmit në Kosovë.
Lulzim Krasniqi, këshilltar politik në MTI, ka thënë se shënimi i kësaj dite është që të spikatet potenciali turistik dhe kontributi i tij në arritjen e qëllimeve sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm, duke adresuar disa nga sfidat serioze që ballafaqohen shoqëritë e sotme.
“Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara, e cila promovon turizmin si mjet për rritje ekonomike, për zhvillimin gjithëpërfshirës, qëndrueshmërisë e mjedisit, ofron vizion dhe mbështetje për zhvillimin e sektorit të turizmit si dhe avancimin e njohurive dhe politikave të turizmit në mbarë botën”.
“Turizmi ka përjetuar rritje dhe ndryshime drastike në 50-të vitet e fundit. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit në vitin 1950 ka pasur 25 milionë turistë ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Sipas tij, turizmi për të gjithë është një koncept që nënkupton krijimin e një mjedisi të përshtatshëm, i cili u shërben të gjithëve për ta shijuar njësoj si ata që udhëtojnë, qoftë ata me nevoja të veçanta, apo për familjet me fëmijë të vegjël dhe njerëzit e moshuar.
“Të gjithë duhet të përfitojmë nga turizmi dhe të jemi pjesë e asaj që quhet qasje universale e turizmit…”, ka theksuar Krasniqi.
Remzi Ahmeti nga KIESA theksoi se synim i përbashkët është që përmes zhvillimit të produkteve të turizmit të involvohen edhe sektorë të tjerë potencialë, e institucione pa të cilët sektori i turizmit është i mangët dhe nuk mund të quhet industri e turizmit.
Ai theksoi se gjatë vitit 2016 KIESA ka organizuar aktivitete për promovim të potencialeve të turizmit të Kosovës.