Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar “Indeksin e perceptimit të korrupsionit 2017”, i përgatitur nga Transparency International ku thuhet se Kosova ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit, raporton Ekonomia Online.
Majlinda Kurti, koordinatore e projektit, tha se Kosova ka shënuar progres kundër luftës ndaj korrupsionit.
“Zelanda e Re është në vendin e parë me 89 pikë kurse në vendin e fundit për 11 vite më radhë është Somalia.
Sa i përket Kosovës është në vendin e 85 dhe në krahasim me rajonin lë pas Shqipërinë. Ne nuk duhet ta ndalim luftën kundër korrupsionit sepse nuk është shënuar progresi i duhur kundër korrupsionit”, tha Kurti.
Arben Kelmendi, menaxher i programit, tha se të gjithë kanë qenë të befasuar që Kosova ka shënuar progres prej 3 pikësh duke u renditur më lart se shumë shtete të rajonit.
“Kosova është i vetmi vend në rajon i cili ka shënuar progres. Shqipëria ka rënjë prej një pike, gjithashtu edhe Serbia dhe Mali i Zi. Maqedonia është rasti më shqetësues në rajon që vetëm për 3 vite ka rënë për 10 pikë. Janë 3 fusha që është shënuar progres, fusha e pavarësisë së gjyqësorit, fuqizimi i medieve dhe lufta kundër korrupsionit”, tha Kelmendi.
“Mediet po rritën në numër por gjithashtu edhe në kualitet sepse po zbulojnë raste të korrupsionit. Ne nuk jemi të kënaqur sepse ka ende punë për të bërë dhe jemi ende larg mesatares globale. Fusha në të cilin do të kishim dashur të shohim progres është fusha e gjyqësorit i cili vazhdon të lëngoj nga ndërhyrjet politike, pastaj janë nepotizmi e gjera të tjera që bëhen brenda gjyqësorit”.