Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka bërë me dije se viti 2018 ka qenë i suksesshëm për BQK-në për faktin se ka vazhduar avancimi i të gjitha kapaciteteve të nevojshme për sigurimin e stabilitetit financiar dhe mbështetjes së zhvillimit të mëtejmë të sistemit financiar të Kosovës.
Edhe pse pati dështime në disa aspekete të qeverisjes gjatë vitit 2018, sa i përket anës finaciare, shifrat po shkojnë lartë. Jo aq sa dëshirohet, por nuk ka rënie në sektorët finaciar.
“Gjatë këtij viti të gjithë sektorët përbërës të sistemit financiar shënuan rritje, duke rezultuar në një ofertë më të pasur dhe më të favorshme të shërbimeve financiare për ekonominë e vendit. Qasja në financa vazhdoi të lehtësohet edhe gjatë vitit 2018 në saje të përshpejtimit të rritjes së kreditimit nga sektori bankar dhe përmirësimit të kushteve të financimit bankar. Më konkretisht, kreditimi bankar shënoi një normë vjetore prej 11.5 përqindësh, përderisa normat e interesit zbritën në 6.6 për qind, që paraqet një përmirësim të konsiderueshëm në krahasim me periudhat e kaluara. Qasja në financa u përmirësua edhe si rezultat i rritjes së kreditimit nga institucionet mikrofinanciare, të cilat vazhdojnë të jenë burim i rëndësishëm financimi, sidomos për kategori të caktuara të ekonomive familjare dhe bizneseve të vogla. Viti 2018 ishte i favorshëm edhe për sa iu përket zhvillimeve të lidhura me shëndetin e sistemit financiar”.
“Qëndrueshmëria e sistemit financiare vazhdon të jetë e lartë, madje me përmirësime të mëtejme në tregues kyçë të shëndetit financiar, siç është cilësia e portofolit kreditor, ku norma e kredive joperformuese ka rënë në rreth 2.7 për qind bazuar në të dhënat e fundit në dispozicion. Përmirësim të rëndësishëm paraqet edhe vazhdimi i performancës financiare pozitive në sektorin e sigurimeve, që në mënyrë të drejtpërdrejtë reflekton efektivitetin e masave rregullative dhe mbikëqyrëse të BQK-së me qëllim të përmirësimit të situatës në këtë sektor”, ka thënë Mehmeti për “Epokën e Re”.
Sipas tij, gjendja e kënaqshme e qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe rritja e vazhdueshme e kontributit të këtij sistemi për mbështetjen e stabilitetit makroekonomik dhe zhvillimit të ekonomisë së vendit reflekton më së miri punën e suksesshme që po bën BQK-ja për përmbushjen e objektivave të saj që dalin nga Ligji mbi Bankën Qendrore.