Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi, nënshkruan protokoll të bashkëpunimit për themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës së Përbashkët për Bashkëpunim Policor.
Ky protokoll mes tri shteteve është në vazhdën e mëtejme të bashkëpunimit policor dhe është bërë duke zbatuar, nenin 34, seksioni 1 dhe nenin 29, të Konventës për Bashkëpunimin Policor në Evropën Juglindore, në të cilën palët nënshkruese, përveç të tjerëve janë Republika e Shqipërisë dhe Mali i Zi.
Palët nënshkruese do të përcaktojnë detajet në lidhje me krijimin e Qendrës së Përbashkët për Bashkëpunim Policor, autoritetet kompetente, qëllimin e bashkëpunimit, detyrat e Qendrës, gjuhën e punës, shpërndarjen e kostove, si dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Qendrës.
Qendra do të jetë në Mal të Zi, në Bashkinë Plavë, në godinën e stacionit të policisë kufitare Plavë, Qendra rajonale Veri.
Fusha e bashkëpunimit ka të bëjë me shkëmbimin, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit, si dhe ofrimin e mbështetjes në koordinimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes palëve nënshkruese, me qëllim: parandalimin dhe luftën kundër të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar; parandalimin dhe luftën kundër të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar, parandalimin e migracionit të paligjshëm; përdorimin më racional të burimeve njerëzore dhe teknike të palëve nënshkruese dhe forcimin e besimit të ndërsjellë dhe ndërkombëtar dhe bashkëpunimit më intensiv ndërkufitar.
Ky protokoll u nënshkrua nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Nuhodzic Mevludin dhe ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Driton Demiraj.
Pas nënshkrimit të këtij protokolli, zëvendësministri Hoxha theksoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshje trelaterale, tregon përkushtimin e të tria vendeve respektive për bashkëpunim të ndërsjellë dhe fuqizim të mekanizmave ndërshtetërorë dhe rajonal në kontekst të luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar, migrimit të parregullt dhe terrorizmit.