“Kosova, shtet i xhudos’’ do të nisë të zbatohet sivjet, MKRS e Federata e Xhudos nënshkruajnë Memorandum

Prishtinë | 29 Mar 2023 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata e Xhudos, kanë nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi, me ç’rast jetësohet koncepti i  integrimit të arteve marciale në programet e përhershme trajnuese dhe arsimore në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ky koncept, që është në linjë me programin ‘’Kosova, shtet i xhudos’’ do të fillojë së zbatuari gjatë këtij viti, si pjesë e trajnimeve formale të nivelit bazik.

Me këtë rast, Ministri Mehaj theksoi se përmes këtij programi, përveç investimit në përgatitjen e oficerëve dhe ushtarëve, po vlerësohet edhe profesionalizmi i xhudistëve tanë, duke i angazhuar në institucionet tona të sigurisë.

Qëllimi i këtij koncepti është në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së, ashtu që në kuadër të investimit në arsimimin dhe trajnimin e ushtarëve në fushën operacionale, përmes angazhimit të xhudistëve tashmë të mirënjohur ndërkombëtarisht, të aftësohen ushtarakët tanë edhe në aplikimin e arteve marciale, si metodë për vetëmbrojtje, neutralizim të kundërshtarit, por dhe nxitje të shpirtit garues ndërmjet ushtarëve.

Përmes këtij programi ambicioz, synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të marrë pjesë në garat botërore multi-disiplinare të Këshillit Ndërkombëtar të Sporteve Ushtarake.

Të ngjashme