Armand Duka kishte lobuar dhe kishte votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UEFA. Ndërsa, tani kur Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është bërë anëtare e plotë e kësaj organizate Federata Shqiptare e Futbollit (FShF) pret që vota e Kosovës do të shkojë gjithmonë në favor të saj sa herë që do t’i nevojitet.
Kreu i FShF-së është në mesin e 13 kandidatëve për 8 anëtarë të rinj të Komitetit Ekzekutiv të UEFA, të cilët do të emërohen më 5 prill, kur do të mbahet Kongresi në Helsinki. Duka nuk e di nëse do të arrijë ta fitojë garën e fortë karshi kundërkandidatëve, në mesin e të cilëve janë edhe presidenti i Federatës gjermane, sekretari i Federatës angleze apo italiane, etj.
Por, numri 1 i futbollit shqiptar është i sigurt se garën do ta nisë me një votë epërsi prej kundërkandidatëve, duke e llogaritur atë të FFK-së të sigurt sikurse atë të FShF-së së tij.
“E kemi të sigurt që të paktën dy vota do t’i marrim. Patjetër që votën e Kosovës e konsideroj njësoj si votën e Shqipërisë”, ka deklaruar për Top Chanel Duka, i cili ka theksuar se me rreth 30 vota do të arrijë të bëhet njeri i madh në futbollin evropian.
“Për mua nuk është një gjë e lehtë pasi janë disa kandidatë të cilët përfaqësojnë edhe vende të mëdha si Italia, Gjermania dhe janë të gjithë figura të nderuara. Nëse unë do të zgjidhem do të jenë diçka shumë pozitive për futbollin shqiptar në përgjithësi, por edhe fakti që jemi kandidat është diçka e mirë”, ka theksuar i nominuar i FShF-së.
Ai shpreson që votuesit të votojnë duke çmuar kandidatët dhe kontributin e tyre në aspektin sportiv e jo duke i marrë parasysh madhësinë dhe peshën e shteteve. “Unë uroj që të mos jetë penalizues fakti se nga vjen kandidati. Uroj që ta shohim më me sportivitet këtë gjë, si një kontribut të të gjithë anëtarëve të UEFA-s, ashtu siç është edhe motoja e saj. Megjithatë, çdo njeri ka të drejtën e vet ta shohë si të dojë”, ka potencuar Duka. Sipas tij, edhe nëse nuk e fiton një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, vetëm kandidimi i tij do të thotë shumë për futbollin shqiptar.
“Qoftë edhe ulja në tavolinë e Shqipërisë besoj se është goxha e rëndësishme moralisht”, ka potencuar Duka, i cili thekson se synim kryesor e ka t’i shërbejë interesit të futbollit evropian e jo vetëm atij shqiptar. “Nuk shkohet në Komitetin Ekzekutiv për të qenë i njëanshëm dhe për të mbrojtur vetëm interesat e Shqipërisë, por shkohet atje për të bërë më të mirën për të gjithë organizatën, për të dhënë kontributin tënd për zhvillimin e lojës dhe për mënyrën se si duhet të menaxhohet ajo”, ka pohuar Duka.