Përfaqësuesja politike në Zyrën e Bashkimit Evropian, Katerina Lopo, ka deklaruar se BE është e pakënaqur që Kosova nuk po angazhohet në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave.
Në konferencën “Kosova dhe procesi i liberalizimit të vizave” organizuar nga Qendra Mediale, Lopo ka thënë se Kosova ka mbetur e bllokuar me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Kosova nuk po përparon, ka mbetur bllokadë demarkacioni dhe luftimi i krimit e korrupsionit”, është shprehur ajo, raporton KTV.
E Jeta Krasniqi nga KDI është shprehur se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se duhet të ecë përpara në rrugën e procesit të liberalizimit të vizave.
“Kosova ka marrë obligim mbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe ato duhet të plotësohen. I gjithë ky proces kërkon që të kemi konsensus politik më të madh në vend”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërkaq, aktivistja civile, Milica Andriq, ka thënë se Kosova ka plotësuar kushtet teknike por kane mbetur pa u realizuar kushtet politike.
“Kosova nuk është duke e luftuar korrupsionin. Kosova nuk është duke shënuar përparim në rrugën e liberalizimit të vizave”, ka theksuar ajo.
Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se nga mos liberalizimi i vizave më së shumti po e pësojnë qytetarët, studentët e bizneset.
Sipas saj, sa më shpejtë duhet të plotësohen kriteret e mbetura në mënyrë që qytetarët të mos mbesin peng.