Komisioni për monitorimin e fushatës së korrje shirjeve të vitit 2016 ka hartuar raportin final dhe sipas tij me sasinë e grurit të prodhuar këtë vit prej 358,017.00 ton, Kosova arrin që t’i plotësoj kërkesat e saja me grurë 87.32%.
E rendimenti mesatar, sipas raporteve përfundimtare që drejtoritë bujqësore komunale i kanë dorëzuar në ministri, ishte 4,410 kg/ha, e që është më i lartë krahasuar me rendimentin mesatar të vitit të kaluar, që ka qenë 3,466 kg/ha.
Komisioni ka konstatuar se ky ka qenë një prej viteve më të mira sa i përket grurit, për shkak edhe të kushteve klimatike por edhe punës që kanë bërë fermerët.
Komunat që kanë pasur rendiment me të lartë janë Vitia me 5800 ton, Juniku me 5100 ton, Obiliqi me 5000 ton, pastaj vijnë Gjilani, Prishtina, Mitrovica e kështu me radhë.
Sipërfaqet e përgjithshme të mbjella me grurë në këtë vit, sipas të dhënave të komunave, ishin 84,500 hektarë, ndërkaq pjesa më e madhe e grurit të korrur është grumbulluar nga mullinjve ekzistues.
Në procesin e fushatës së këtij viti ishin të angazhuara 1659 autokombajna.
Mbështetja e MBPZHR përmes pagesave direkte, për fermerët të cilët mbjellin grurë, nga viti në vit po rritet. Nga vitit i kaluar subvencionimi është nga 150 euro për hektar, nga 100 sa ka qenë deri në vitin 2014.
Gjithashtu MBPZHR po punon që të shtohen trajnimet për fermerët dhe natyrisht për këtë inkurajon ata, dhe komunat po ashtu, që të kontaktojnë tashme me këshilltarët bujqësor publik dhe privat që janë licencuar nga ministria.
Për të gjithë kultivuesit e grurit, të cilët kanë aplikuar në ministri për të përfituar mbështetje përmes pagesave direkte, tashmë ka nisur procedimi i këtyre pagesave nga Divizioni i Financave në MBPZHR.