Kosova as sivjet nuk siguron bukën

Prishtinë | 05 Kor 2018 | 09:26 | Nga

Në Kosovë ka filluar fushata e korrje-shirjeve. Sipas të dhënave zyrtare në gjithë territorin e Kosovës me drithëra të bardha këtë vit janë mbjellur mbi 83 mijë hektarë tokë bujqësore, kurse vetëm me kulturën e grurit janë mbjellë dhe do të korren mbi 74 mijë hektarë, që nënkupton se rendimenti mesatar pritet të jetë rreth 4000 kilogramë për hektar.

Jusuf Cikaqi, kryetar i Komisionit për monitorimin e fushatës së korrje-shirjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, thotë se bazuar në sipërfaqen e mbjellur me grurë dhe rendimentet mesatare, shpresohet se sivjet Kosova do t’i plotësojë mbi 72 për qind të nevojave të popullatës për ushqim. Nevojat me këtë përqindje, sipas tij, mbulohen nëse gruri nuk eksportohet jashtë territorit të Kosovës.

“Nëse kalkulohet me këtë rendiment, pra 4000 kilogramë për hektar dhe nevojat që janë për kokë banori me 205 kilogramë, në total i bie se duhet të harxhohen 410 mijë tonë grurë brenda një viti në territorin e Kosovës. Duke marrë për bazë sipërfaqen e mbjell mbi 74 mijë hektarë dhe rendimentin mesatar 4000 kilogram për hektarë, i bie që në total në Republikën e Kosovës këtë vit prodhohen 296 mijë tonë me grurë, e që në përqindje i bie 72 për qind”, tha Cikaqi për Radion Evropa e Lirë.

Por, të dhëna krejt ndryshe paraqesin profesorët e Fakultetit të Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës. Sipas një sondazhi që ka përgatitur ky Fakultet, thuhet se Kosova sivjet i plotëson nevojat e popullatës me prodhimit të grurit me vetëm rreth 50 për qind.

Ymer Rusinovci profesori në Fakultetin e Bujqësisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se reshjet e fundit atmosferike kanë ndikuar në rendimentet e kulturave bujqësore.

“Mendoj se gjysma e kërkesave tona ushqyese mund të plotësohen nga prodhimi vendor, ndërsa 50 përqindëshi tjetër, sërish do jetë i varur eksluzivisht nga importi. Por, që 72 për qind jam i sigurt se nuk do t’i kemi nga prodhimi vendor”, shprehet Rusinovci.

Ndryshe, për të rritur interesimin e fermerëve për mbjelljen e sipërfaqeve më të mëdha me grurë, Ministria e Bujqësisë ka disa vjet që subvencionon fermerët, të cilët kanë aplikuar dhe plotësuar kriteret e kërkuara.

Jusuf Cikaqi, nga Ministria e Bujqësisë, thotë se shuma e përgjithshme e subvencioneve për këtë vit është 25 milionë euro, kurse vetëm për kulturën e grurit 9.5 milionë euro.

“Shuma e mjeteve për një hektar edhe këtë vit do të jetë 150 euro për të gjithë ata fermerë që kanë mbjell grurë, që kanë aplikuar dhe i plotësojnë kriteret për të qenë përfitues i subvencioneve. Kurse sipërfaqja minimale e mbjellur me grurë duhet të jetë 2 hektarë në pronësi të fermerit”, thotë Cikaqi.

Pavarësisht kësaj, sipas shoqatës së bujqve, prodhuesit bujqësorë nuk kanë leverdi të kultivojnë kultura të grurit, për shkak të çmimit të ulët të grurit dhe sasisë së madhe të importit nga vendet e rajonit.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme