Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të mërkurën mbrëma zhvilloi stërvitjen e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë para ndeshjes së radhës në Ligën e Kombeve.
Të enjten (sot) ajo do të niset për në Maltë, ku të shtunën në Ta’Qali do të luajë kundër përfaqësueses vendase, shkruan sot Koha Ditore.
Reprezentuesit janë shprehur optimistë se do të marrin tri pikë nga ky udhëtim për t’iu afruar arritjes historike – fitimit të Grupit 3 në Ligën D të Ligës së Kombeve. Dhe këtë optimizëm po e ushqen edhe entuziazmi që kanë sjellë përforcimet e reja: sulmuesi Shkëlqim Demhasaj, mbrojtësi Mirlind Kryeziu dhe portieri Arijanet Muriq. Të mërkurën edhe ish-portieri i Malit të Zi (U21), Muriq, ka marrë lejen nga FIFA për të luajtur me Kosovën. Demhasaj e Kryeziu kanë luajtur më herët për grupmoshat e reja të Zvicrës.
Natyrshëm vëmendja më e madhe i është kushtuar Muriqit, për shkak të klubit ku luan – Manchester City. Por Federata e Futbollit e Kosovës as të mërkurën nuk e lejoi atë të flasë për mediat.