Qeveria ka miratuar edhe Strategjinë për afirmimin dhe integrimin e komunitetit malazez në Republikën e Kosovës 2016-2021.
Kjo Strategji është hartuar me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe garantimin e të drejtave të komunitetit malazez në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi, për të drejtat e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.
Kryeministri Isa Mustafa tha se për këtë dokument kishte biseduar me homologun e tij malazez, Dushko Markoviq kur e kishte takuar atë në Shkodër gjatë vitit të shkuar.
“Ne kemi biseduar edhe në takimin që kemi pas me zëvendëskryeministrin Kuçi me kryeministrin malazez herën e kaluar në Shkodër këtë çështje. Ata kanë shprehur përkrahjen e tyre, por kanë konsideruar që Strategjia duhet të ketë kuptim më të gjerë sesa shoqatën e malazezve e cila është këtu.”
“Ndërkohë ne e kemi kontaktuar Qeverinë malazeze dhe ata janë pajtuar që kjo Strategji të jetë ajo që duhet të jetë. Do të thotë, tash Strategjia ka marrë përmasa dhe relacione më të gjëra sesa që fillimisht i ka pas dhe shpreh interesin e të dy vendeve”, bëri të ditur kryeministri Mustafa.