Loriana Kuka është kujdesur për një fund perfekt të Kosovës në turneun Grand Prix të xhudos që prej të premtes deri të dielën është mbajtur në Antalya të Turqisë.
21-vjeçarja, që është mbesa e mjeshtrit Driton Kuka, ka bërë befasi të madhe duke fituar medaljen e artë në kategorinë deri 78 kilogramë, shkruan sot “Koha Ditore”. Me fitoren e Lorianës, të dielën, gara në Antalya është bërë më e suksesshmja për Kosovën sa i takon numrit të medaljeve të fituara.
Për herë të parë Kosova është në krye të listës së vendeve me më së shumti medalje të fituara në fund të një turneu të madh. Në vendin e parë pas ditës së parë të garave ka qenë shpesh, por asnjëherë deri më tani në përfundim të garës.
Kjo, për faktin se ka pasur numër të limituar garuesish. Por tashmë Kosova ka garues edhe në kategoritë e rënda e po ashtu edhe te meshkujt. Po shkëlqejnë edhe xhudistët e kategorive të reja dhe kështu Kosova është shndërruar në superfuqi evropiane të xhudos.
Në Grand Prix të Antalyas, që është gara e fundit para evropianit dhe e fundit para se të nisin eliminatoret për Olimpiadë, Kosova fitoi plot tri medalje të arta dhe një të argjendtë. Asnjë shtet tjetër nuk i pati tri të arta.