Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE), së bashku me Fondacionin për Shoqëri të Hapur (KFOS), ka organizuar në Tiranë punëtorinë mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në EITI (Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse).
Aty u diskutuan hapat nëpër të cilat duhet të kalojë një shtet para anëtarësimit dhe cilat janë përfitimet që dalin nga kjo iniciativë.
Zëvendësministrja Besa Zogaj-Gashi tha se kjo nismë është e rëndësishme për të gjitha vendet të cilat janë të pasura me resurse minerale dhe si e tillë ka mbështetjen e plotë nga Qeveria e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Anëtarësimi në EITI nënkupton vendosjen dhe mbikëqyrjen e transparencës në industrinë nxjerrëse të burimeve natyrore, duke ndihmuar kështu që të ardhurat nga kjo fushë të ndikojnë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë ajo
Zogaj-Gashi shtoi se anëtarësimi në EITI do të përmirësonte klimën investive në Kosovë, duke joshur investitorë dhe institucione financiare ndërkombëtare. Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që ky proces të avancojë.
“Në këtë kontekst me agjendën e reformave evropiane dhe programin e Qeverisë i kemi dhënë përparësi qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, konkurrueshmërisë dhe krijimin e kushteve për investime, derisa qëllim kryesor kemi transparencën në pasuritë minerare”, tha zëvendësministrja.
Zogaj-Gashi duke shtuar se Kosova është e pasur me resurse minerare, energjetike dhe metaleve me ngjyrë, të cilat paraqesin potencial të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kosova ka 11 zona të interesit që përfshijnë kryesisht zona të pasura me resurse minerare dhe investimet në këto zona do të mund të bëhen tashmë lehtësisht nga investitorë kredibilë nëpërmjet ligjit për Investime Strategjike, i cili krijon lehtësi për kompanitë e mëdha që duan të sjellin kapitalin e tyre investues ne Kosovë”, tha ajo.
Nga ana e tij Ingilab Ahmadov, drejtor i Euroasia Hub, shpjegoi se pse është e rëndësishme dhe çfarë mund të përfitoj një vend nga kjo nismë që është mjaft e famshme ku janë 52 shtete anëtare.
Sipas tij EITI është proces mjaft sfidues për shkak të trekëndëshit që përshin ky proces siç janë Qeveria, kompanitë dhe shoqëria civile. “ Qëllimi është që resurset natyrale të kthehen në pasuri publike për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm” tha Ahmedov.
Ndërsa Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i KFOS-it, ka bërë të ditur së tashmë iniciativa për anëtarësimin e Kosovës në EITI ka marr mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kjo sipas tij do t’i ndihmojë vendit edhe në transparencë rreth shfrytëzimit të resurseve minerale, përfshirë ndikimin në zhvillimin ekonomik të vendit .