Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe USAID- Programin për Drejtësi Komerciale kanë mbajtur sot një forum virtual për të diskutuar në lidhje krijimin e Gjykatës Komerciale e cila do ta ndihmonte ekonominë tash në epokën e COVID19 por edhe në komplikimet tjera ekonomike që ka Kosova.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, theksoi se krijimi i kësaj Gjykate do ta rregullonte ekonominë e vendit e posaçërisht për rimëkëmbjen ekonomike.
Ai tha se Gjykata Komerciale ndër të tjera do të krijonte ambient më të besueshëm dhe do të sillte më shumë investime në Kosovë, raporton KOHA.
“Gjykata do të ndihmonte në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë të besueshme. Rrit besimin e bizneseve në institucione. E zvogëlon perceptimin e korrupsionit dhe e rrit profesionalizmin”, ka thënë Rukiqi.
Ndërsa Selim Selimi, ministër i Drejtësisë, tha se ka qenë e rëndësishme që së bashku me partnerët strategjikë të fillohet puna për krijimin e një ndërmarrje me të madhe siç është Gjykata Komerciale që do të merret me kontestet ekonomike.
Ai tha se themelimi i Gjykatës i shton një shtyllë të fortë sistemit të drejtësisë dhe nuk e ngarkon atë siç është parë me skepticizëm.
“Gjykata nuk e ngarkon sistemin e drejtësisë por e qartëson sistemin, e profilizon atë dhe do të kishim një shtyllë të tërë që do ta ndihmonte sistemin e drejtësisë komerciale”, është shprehur ministri.
Kësisoj ai shtoi se në shtator pritet që ligji për krijimin e kësaj Gjykate të shkojë në Kuvend.
“E kam prioritet që Gjykata te formohet sa më shpejtë. Kah shtatori do ta kemi ligjin gati mbi Gjykatën Komerciale dhe do ta procesojmë në Kuvend dhe besoj nuk do të kontestohet”, ka shtuar ai.
Më tej Gjyqtari Mahir Huduti ka sqaruar se struktura e Gjykatës Komerciale do të mundësojë operimin me profilizim të caktuar të gjyqtarëve.