Çështja e Kosovës dhe faza e re e dialogut me Serbinë do të jetë njëra nga temat e diskutimit në edicionin e tetë të Forumit të Sigurisë në Beograd.
Ftesë për të qenë panelist në këtë Forum ka marrë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, shkruan sot Koha Ditore.
Hoxhaj, që është edhe nënkryetar i PDK-së, i ka thënë gazetës se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në forum, për të cilin nuk do të ishte hera e parë. Hoxhaj ishte bërë zyrtari i parë i lartë qeveritar, i cili në vitin 2014, nën kapacitetin e ministrit të Punëve të Jashtme, kishte marrë pjesë në Konferencën rajonale ndërshtetërore BE-Ballkan në Beograd.
Sa i përket lejes të cilën duhet ta japin autoritet e Beogradit për vizitat e zyrtarëve shtetërorë në Serbi, Hoxhaj ka deklaruar se “nuk ka pyetur nëse ajo është dhënë”.
Hoxhaj nuk është i ftuari i vetëm nga Kosova.
Në ditën e dytë të Forumit është paraparë debati me temën – “Ku po na shpie faza e re e dialogut Beograd-Prishtinë. Në mesin e panelistëve është deputeti i Alternativës, Ilir Deda, si dhe Agon Maliqi nga shoqëria civile. Krahas tyre, pjesë e diskutimit figuron të jetë edhe drejtori i së ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.