Federata e Futbollit e Kosovës organizon plot aktivitete që kanë për qëllim zbulimin e të rinjve të talentuar dhe zhvillimin e tyre. Një të tillë e ka nisur në fundjavë. Por në fundjavë FFK-së i kanë ardhur raporte për rezultate negative nga një garë me peshë në të cilën po paraqitet një prej përfaqësueseve të grupmoshave të reja të Kosovës.
Bëhet fjalë për përfaqësuesen U-17 të Kosovës në futboll që po merr pjesë në turneun ndërkombëtar “Mercedes Benz Aegean Cup”, që po mbahet në Izmir të Turqisë. Në këtë turne po paraqiten tetë përfaqësuese, ndërsa pas fazës grupore Kosova ka bilancin më të dobët, shkruan Koha Ditore.
Fillimisht Kosova kishte pësuar 1:0 nga Turqia, ndërsa të premten pësoi 4:2 nga përfaqësuesja afrikane e Tanzanisë. Me rezultate të dobëta të përzgjedhurit e Besnik Kollarit kanë vazhduar edhe të dielën. Kosova pësoi me rezultat të lartë, 4:0, nga Irlanda. Ishte ky rezultati më i thellë në turne. Në fakt vetëm Kosova ka pësuar nga katër gola në turneun tradicional.
Me tri disfata Kosova mbeti e fundit në grup, pa pikë të tubuar. Grupin e fitoi Turqia me 7 pikë, para Irlandës me gjashtë pikë dhe Tanzanisë me katër pikë. Në grupin tjetër e para doli Koreja e Jugut, para Shqipërisë, Ukrainës e Maqedonisë Veriore. Të martën Kosova luan me Maqedoninë Veriore për vendin e shtatë, përkatësisht të parafundit. Edhe Maqedonia Veriore ka humbur tri ndeshjet, por ka goldallim më të mirë se Kosova.
FFK-ja është munduar të arsyetojë disfatën e thellë nga Irlanda.
“Përveç kundërshtarit të fortë as fati nuk ishte në anën e djelmoshave të Besnik Kollarit. Në fakt, pas epërsisë 1:0 të Irlandës, futbollistët tanë patën mundësi për ta barazuar, por shtylla ua mohoi golin. Edhe pas golit të dytë të irlandezëve, djemtë tanë u përpoqën të ndryshojnë rrjedhën e lojës dhe patën mundësi për të ngushtuar rezultatin, por dështuan të realizojnë nga penalltia. Kjo sikur ndikoi në moralin e lojtarëve, të cilën në pjesën e dytë pësuan edhe dy golat e tjerë”, ka shkruar FFK-ja. Kollari, në bazë të njoftimit të FFK-së, është arsyetuar për disfatat me faktin se ka grumbulluar kryesisht futbollistë nga kampionati vendor, të gjeneratës 2004 e 2005.