Kosova u paraqit me fusnotë në Procesin e Berlinit

Prishtinë | 03 Nën 2022 | 21:31 | Nga Ekonomia Online

Emri i Republikës së Kosovës është paraqitur me fusnotë në kuadër të bashkëpunimit rajonal në Procesin e Berlinit, që të enjten u kurorëzua me nënshkrime të tri marrëveshjeve për lëvizje të lirë të qytetarëve me letërnjoftime, njohje të diplomave e të kualifikimeve profesionale.

Këshilltari i kryeministrit, Jeton Zulfaj, ka thënë në “Desku” të KTV-së se “kjo është pjesë e pajtimit të mëhershëm”.

“Asterisku është në marrëveshjen kur i referohemi shteteve, mirëpo është pjesë e pajtimit që është bërë më herët në kontekstin e bashkëpunimit rajonal. Është e vetmja shenjë që e kemi trashëgimi në këtë proces të bashkëpunimit rajonal. Pjesa tjetër është me qytetarë, legjislacion të secilës palë”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas Zulfajt, tri marrëveshjet e nënshkruara të enjten i konsiderojnë të gjitha shtetet si të barabarta.

“Kemi insistuar që dokumentet që lëshohen të jenë nga legjislacionet në fuqi të secilit shtet. Pra secila palë e ka legjislacionin e saj. Diplomat janë të Republikës së Kosovës, letërnjoftimet janë të Republikës së Kosovës. Ky ishte problemi fillestar, që mund të ketë qasje më ndryshe ndaj Kosovës por s’e kemi pranuar”, ka thënë ai duke shtuar se të gjitha telashet janë tejkaluar “duke u pranuar parimi i barazisë”.

Të ngjashme