Pavarësisht se në Kosovë më 2019 pati shtim natyror prej 15 mijë personash, vendi u tkurr për më shumë se 13 mijë banorë.
Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, në Express Intervistën në KTV, ka thënë se Kosova u zvogëlua për 13500 banorë, për shkak të emigrimit të madh të popullatës.
Më 2019, sipas të dhënave të ASK-së, u regjistruan 25 mijë e 895 lindje, ndërsa janë regjistruar 10560 vdekje. Pavarësisht shtimit natyror prej 15294 personash, emigrimi prej më shumë se 28 mijë personash ka bërë që Kosova të ketë bilanc negativ në vlerësimin e popullsisë.
“Shtimi natyror është pozitiv, por për shkak të imigrimit bilanci në përgjithësi del negativ”, ka thënë ai duke shtuar se shifra prej më shumë se 28 mijë personash që kanë lëshuar Kosovën është shqetësuese. “28-mijëshi është për t’u shqetësuar sepse përkundër rritjes pozitive prej 15 mijë numri i migracionit po e heq shtimin natyror dhe Kosova po kalon në trend negativ. Mbi 13 mijë 500 persona u zvogëlua Kosova”.
Sipas Kastratit, në aspektin ekonomik dëmi është shumë i madh dhe do të vihet re shpejt, ndërsa në atë demografik pasojat do të shfaqen më vonë.
“Në aspektin ekonomik dëmi është shumë i madh. Si familje dhe si shtet investojmë shumë për të rritur fëmijët. Të tjerët e marrin të gatshëm dhe për pak muaj e shtyjnë në prodhim. Atë s’e kemi ne, kosto e rritjes së një fëmije, në Gjermani deri në moshën 22-vjeçare është 225 mijë euro. Kosovari shkon, i shkolluar, gjithë ato investime këtu, fuqi e gatshme për ekonomi. Për demografi ka shumë pasojë. Në ekonomi vërehen shumë më shpejt, e në demografi duhet një dekadë të kalojë. Sepse nëse shkojnë të rinj, ende s’shihet menjëherë në aspektin demografik riprodhimi, por pas një dekade vërehet. Më 2014-15 e dimë imigrimin. Më 2025 e shohim numrin e fëmijëve që kanë për të shkuar në klasë të parë do të bie drastikisht. Në aspekt afatgjatë ka pasoja të mëdha sepse nëse dy dekada ka migrim negativ, s’mund të kthehet ndonjëherë në shifrat që ka pas para disa vitesh”, ka thënë tutje ai.