Anipse mbështetja për lidershipin e SHBA ka rënë në shumicën e pjesëve të botës, sondazhi i fundit i Gallup tregon se kosovarët dhe shqiptarët mbeten adhuruesit më të palëkundur të Amerikës
Gjersa, miratimi i udhëheqjes amerikane dhe kreut të saj, Donald Trump ndryshon në vendet e rajonit të Ballkanit, kjo anketë tregon se mbështetja është më e lartë në Kosovë sesa në çdo vend tjetër të Evropës.
Sondazhi i publikuar të enjten tregoi se 75 përqind e njerëzve në Kosovë mbështesin punën e udhëheqjes së SHBA-ve.
Shqipëria fqinje vjen e dyta, me 72 për qind mbështetje, thuhet në raport, transmeton Klan Kosova.
“SHBA-të morën miratimin e shumicës në vetëm tre vende apo zona në Evropë në vitin 2017 – Kosova, e cila udhëheq rajonin dhe botën në miratimin e udhëheqjes amerikane, Shqipëria, e cila renditet e dyta në mbarë botën dhe Polonia”, theksohet në raport.
“Nuk është e pazakontë që të shohësh kosovarët dhe shqiptarët në krye të listës së miratimit; këto dy popullata japin zakonisht vlerësime të larta të udhëheqjes amerikane”, potencohet në këtë sondazh.
Megjithatë, raporti tregoi se edhe në këto dy vende përkrahja për Amerikën kishte rënë në krahasim me vitin e kaluar.
Ndërkohë, mbështetja për liderin amerikan ishte shumë më e ulët gjithkund tjetër . Në Maqedoni, 45 përqind mbështesin udhëheqjen e tanishme të SHBA-ve, ndërsa 34 përqind jo, ndonëse shkalla në Maqedoni ishte më e lartë se ajo që kishte qenë.
“Në Maqedoni, e cila rinovoi përpjekjet e saj të mbështetura nga SHBA për t’u bashkuar me NATO dhe Bashkimin Evropian, miratimi u rrit nga 30 për qind në 45 për qind. Miratimi i saj për udhëheqjen e BE-së u rrit po aq gjatë në të njëjtën kohë, nga 41 përqind në 54 përqind”, tregon sondazhi.
Në Kroaci, mbështetja për Trump është vetëm 24 për qind, që ishte një rënie prej 20 pikësh në krahasim me vitin e kaluar.
Në ndërkohë q, Serbia është në fund të nivelit të përkrahjes në Evropë, me vetëm 16 përqind mbështetës.
Anketa u krye në 134 vende dhe fusha.