Prishtinë, 29 tetor − Në fund të viteve nëntëdhjetë Kosova, atëherë pjesë e Jugosllavisë, ishte arenë e një lufte të ashpër njëvjeçare; dhe sikurse ndodh shpesh në kohë të dhunës, kishte ndryshuar edhe qëllimi i hapësirave publike. Stacioni i Trenit në Prishtinë kishte shërbyer si pikë e mbërritjes së refugjatëve që po iknin anembanë rajonit, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e cntraveler.com. Njerëzit kishin fjetur nëpër palestra, ku lindnin edhe nënat, dhe ku të tjerët trajtoheshin për shkak të plagëve.
Pak vite më vonë, më 2002, një grup qejflinjsh serbë e shqiptarë, të pajisur me videokamera e me mikseta, veshur me fanella të shkurtra e pantallona me shumë xhepa, i hipën trenit në atë që u quajt “The Road of Peace Train” (Rruga e trenit të paqes).
Ata u larguan nga i njëjti stacion treni në Prishtinë, duke marrë rrugën për në Shkup, duke vallëzuar pa u ndalur nëpër krejt ish-Jugosllavinë, duke dëgjuar house Detrioti dhe muzikë elektronike të viteve nëntëdhjetë për orë të tëra.
Sot i njëjti stacion treni është transformuar përsëri: tash në një klub nate me emrin “Bahnhof”. “Bahnhofi”, bashkë me “Zone Club”, organizatorët e ndejave, “Next Level”, dhe me ata të ngjarjeve “guerile”, “Hapësira”, është pjesë e një rrjeti të vogël, por dinamik të dashamirëve të muzikës që po mundohen të kthejnë energjinë e “Rrugës së paqes” në një vend të vogël dhe të ri, Kosovës – një sfidë fort e madhe për shkak se Kosova nuk është njohur edhe nga një numër i madh shtetesh, përfshirë Serbinë. (SHBA-ja e ka njohur Kosovën si shtet qysh më 2008.)
Prishtina ka energjinë dhe entuziazmin mahnitës që zor se mund ta gjesh në vende të tjera në një kohë kur njerëzit, pa celularë dhe pa telefona ose internet ndërtojnë identitetet e tyre rreth përkushtimit të madh ndaj muzikës që nuk iu lë me një vend.
“Njerëzit këtu nuk rrinë me një vend”, thekson Arbnor Dragaj, bashkëpronar i “Hapësirës”, organizator ngjarjesh kulturore dhe artistike. “Ata nuk e kanë mundësinë të udhëtojnë jashtë vendit, por kanë tërë këtë energji dhe entuziazëm. Janë të uritur për qejf dhe për të pasur hapësirën e nevojshme për vallëzim”.
Ta përmendësh luftën është goxha e sikletshme në këtë pjesë të Evropës, por e kaluara e rajonit ka lënë shenja të pamohueshme në skenën muzikore.
“Shpërthimi i muzikës elektronike vetëm pas luftës simbolizon këtë eufori të pasluftës në Kosovë”, thekson Nita Deda, drejtoreshë e festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. “Shumë njerëz që kishin jetuar jashtë vendit u kthyen bashkë me muzikën. Kishte shumë ndeja, dhe ato simbolizonin lirinë për vendin”.
Pothuajse dy dekada pas përfundimit të luftës energjia është ndryshe, por ende prihet prej “underground”-it. Kjo ndodh edhe për shkak se industria e muzikës e Kosovës – ndryshe prej vetë vendit – është ende e papjekur. Nuk ka shumë studio të incizimit me shërbime të plota, dhe ka pak producentë. Dhe CD-të që mund t’i blini në vend janë incizimet e pakta të dorës së dytë në “Soma Book Station”, kafene dhe pikë jozyrtare takimi për pjesën bohemiane të Prishtinës. Pothuajse nuk ka fare financim qeveritar për skenën muzikore, dhe shumica e njerëzve që janë pjesë e këtij biznesi mezi ia dalin në krye (e takova një DJ i cili punonte për qeverinë komunale; një tjetër promotor drejton një kafene). Për të huajt që e vizitojnë Prishtinën, që ka mbetur disi në hije të skenës më të qëndrueshme të Beogradit, rreth gjashtë orë larg me makinë, duket se ende fsheh një sekret që pret të zbulohet.
“E bëjmë për pasion, jo për para”, thekson Butrint Baholli, bashkëpronar i “Zone Club”, para një ndeje të së shtunës ku do të shfaqej artisti nga Berlini, INI. Çdo muaj “Zone” sjell DJ të huaj para turmës së elektrizuar. Hyrja prej rreth 3.5 dollarësh është e volitshme (një pagë mesatare në Kosovë është 342 dollarë), përderisa femrat e kanë hyrjen falas.
Me shtatëdhjetë për qind të popullsisë nën moshën 35-vjeçare, Kosova ndien sikur është në prag të një shpërthimi kulturor.
Çdo verë, gjithnjë e më shumë festivale dhe koncerte po i shtohen skenës muzikore – sivjet, ta zëmë, kosovarja Dua Lipa ishte ylli kryesor në “Sunny Hill Festival”, ngjarje që organizohet nga babai i saj. Përderisa një prej yjeve më të mëdha botërore të botës nuk është pjesë e “underground”-it, koncerti i saj është emblematik për skenën e kulturës dhe artit në ngritje të Kosovës: promovuar prej vetë artistëve, bashkë me miqtë e familjet e tyre. “Mendoj se kur jeni të lirë pas luftës, e merrni vesh se sa e keqe ishte lufta, dhe vetëm tani kemi nisur të dalim në pah”, ka thënë Deda. “Jemi rritur prej prindërve të cilëve u ishte marrë fati. Ende ka shumë rrëfime që duhet të tregohen”.
Sunduar prej osmanëve për pesë shekuj me radhë, dhe pjesë e Jugosllavisë në pjesën më të madhe të shekullit njëzet, Prishtina është një mishmash kundërthëniesh. Monedha zyrtare është euroja, por Kosova nuk është pjesë e Bashkimit Evropian. Shumica e kosovarëve e flasin rrjedhshëm anglishten, por për shkak të mungesës së statusit të qytetarit të BE-së, është e vështirë për ta që të udhëtojnë jashtë vendit të tyre. Shumica e popullit të Kosovës është myslimane, dhe derisa nuk mund të gjeni mish derri në menynë e Prishtinës, duhet të mbani veshët prej ezanit.
Nata ideale në Prishtinë fillon me një darkë të vonshme. Shkoni në “Renesansë”, një restorant që drejtohet nga familjarët, pa ndonjë shenjë (por që e dinë krejt taksistët). Dhe me pesëmbëdhjetë euro ju shtrohen rakia, vera, mezja dhe një mori ushqimesh, si ushqim i fërguar dhe perimet me salca. Pastaj mund të merrni udhë drejt “Club M”, një bar i zhurmshëm me skenë vallëzimi ku mund të shihni performancën e Ilir Bajrit, një prej jazz-pianistëve më të njohur në Kosovë. Pastaj mund të bëni qejf në “Zone” dhe “Bahnhof”; janë në pronësi të të njëjtit grup dhe organizojnë ndeja të ndryshme. “Bahnhofi” ka një muzikë më private, më underground, përderisa “Zone” sjell DJ me emra të mëdhenj, si Mirko Loko – dhe natyrisht edhe turma të mëdha njerëzish.
Një vend tjetër i njohur është “Hapësira”, që ka ngjarje çdo muaj, duke përfituar me siguri nga një hapësirë e lënë pas dore e qytetit. Në një natë të vonshme (në fakt është herët në mëngjes), dëgjoj muzikën e DJ-vë tech-house në një lokacion që ndodhet në një ndërtesë të epokës komuniste. Dhe pak kohë më vonë mund të merrni një byrek për tetëdhjetë centë, që ka brenda djathtë, dhe një ajran, lloj jogurti turk, ose mund të porositni një makiato në kafenetë përgjatë rrugëve – Kosova konsiderohet prej shumëkujt si vendi që ka makiatot më të mira në botë, sigurisht mjeshtri e atyre që janë kthyer nga Italia.
Si kryeqytet i shtetit më të ri të Evropës, ka shumëçka që mund të bëni në Prishtinë ditën, kështu që nëse e keni kohën e kufizuar duhet të bëni gjumë të mirë që të shihni pikat më të ndritura të qytetit. Biblioteka Kombëtare e Kosovës ia vlen të vizitohet, por fokusoni në ushqimin dhe muhabetin me kosovarët dhe ju do të zbuloni qejfin e vërtetë.
Pasi që industria e turizmit në Kosovë është minimale, duke mos llogaritur diasporën shqiptare, Prishtina mbase është njëri nga pak vendet e botës ku nuk do të trajtoheni si turistë. Taksistët nuk do të turren pas jush, e askush në restorante a në dyqane nuk do t’ua fryjë çmimet. Përkundrazi, kosovarët do t’ju trajtojnë si mysafirë me një lloj dashamirësie gati të tepruar. Kur ta pyetni dikë se ku mund të gjesh diçka, mund t’ju ndodhë që të insistojë që vetë t’ju vozisë deri atje, siç më ka bërë vaki dy herë. Themeli i shoqërisë shqiptare është besa, kod sjelljeje që përmbledh edhe përgjegjësinë dhe bujarinë. Dhe kjo nënkupton që qoftë edhe në skutat e errëta të klubeve të natës ku mund të ndiheni parehatshëm e lodhshëm, do të gjeni vetëm respekt. Mbi të gjitha, të gjithë janë aty për muzikën.