Platforma e punësimit KosovaJob ka organizuar të enjten ngjarjen “Integrimi i AI (Intelegjencës Artificiale) në KosovaJob – një kapitull i ri për punësimin në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast u lansua produkti më i ri i KosovaJob, me të cilin synohet të revolucionarizohet mënyra e punësimit në Kosovë. Ky produkt do t’i ndihmojë punëdhënësit dhe punëkërkuesit të gjejnë njëri-tjetrin vetëm me një klikim brenda kësaj platforme.
Udhëheqësi dhe themeluesi i KosovaJob, Arion Rizaj, tha se qëllimi i këtij produkti është t’ua lehtësojë punëkërkuesve filtrimin e kandidatëve të cilët aplikojnë. Ai tha se AI do të integrohet edhe për punëkërkuesit, ku do të jetë një modul që para se të aplikojnë të dinë se sa ata kanë potencial që të punësohen.
“Krejt jemi kohët e fundit dëshmitarë se si po ndërron procesi i rekrutimit, trendet e punësimit. Procesi i rekrutimit, procesi i filtrimi merr shume punë, sepse nëse kanë aplikuar 100 kandidatë veç imagjinoni sa ditë ose sa javë ju merr kohë për me i filtruar 100 CV për t’i analizuar. Qëllimi që e kemi është që për punëdhënës këtë proces të filtrimit me përshpejtu. Që ju kur të keni kandidat të keni raportin e gatshëm që me mujtë me ditë që ai kandidat a i përshtatë kërkesës suaj, që me mujt me investu kohën e juaj me kandidatë që kanë potencial”, theksoi Rizaj.
“Inteligjenca artificiale nuk e përfaqëson njeriun. Ju jeni personat kryesorë prapa tij, por kjo do të shërbejë që të asistojë. Në anën tjetër AI do të integrohet edhe për punëkërkuesit. Për punëkërkuesit do të jetë një modul që para se të aplikojnë të di se sa ka potencial që të punësohet”.
Ndërsa, Gili Hoxhaj, përfaqësuese për Marrëdhënie me Publikun në KosovaJob, tha se ky produkt do të i mundësoj punëdhënësit dhe punëkërkuesit ta gjejnë njëri-tjetrin në shpejtësinë e sekondave.
“Ne ju sigurojmë që ky hap sot është vetëm një hap drejt një rruge të gjatë në të cilën punëdhënësit dhe punëkërkuesit ta gjejnë njëri-tjetrin në shpejtësinë e sekondave”, ka thënë ajo.
Kurse, Aleksander Kohchovski, shef për Operacione në KosovaJob, para përfaqësuesve të kompanive prezantoi produktin edhe mënyrën se si përdoret ky produkt, duke shtuar se as një kompani në Ballkan, edhe pse janë tregje më të mëdha se Kosova, nuk e kanë në përdorim një produkt të tillë.
“Ky dixhitalizim e lehtëson procesin e punësimit. Çfarë duam ne është që të bëjmë një hap fillestar, sepse asnjë kompani në Ballkan këtë hap revolucionar edhe pse tregu i tyre është më i madh se në Kosovë. Kjo nënkupton shumë për ne, sepse çfarëdo që ne po zhvillojmë do të zhvillojë palë dhe do të adresojë nevojat e juaja”, ka thënë ai.
Të rinjtë që vizituan panairin që ishte organizuar nga KosovaJob, që punëkërkuesit të informohen me atë se çka ofron produkti i ri i kësaj platforme, u shprehen të kënaqur me këtë mundësi.
Andi Jusufi, studenti i vitit të dytë në AUK, tha se KosovaJob me lanësimin e produktit të ri e ka lehtësuar mundësin e gjetjes së një pune e po ashtu dhe më të lehët me marr eksperienca edhe me qenë të gatshëm për treg të punës.
“Unë mendoj që janë shumë të rëndësishme për shkak se edhe vetë tregu është shumë i gjere edhe shumë vështire është për ne si studentë me gjete edhe punë edhe me pa eksperienca që kur të futemi në treg të jemi të gatshëm për të punuar. Kjo si platforme është goxha e mirë se është një mundësi shumë e mirë me na lidh neve edhe me kompanitë edhe kompanitë me lidh bashkë me ne, që të marrim eksperiencë për punë që kur të përfundojmë studimet me pas një punë të gatshme edhe me qenë të rregullt që me ardhë në industri. Siç e dimë se pa eksperiencë, pa punuar diku është shumë vështirë që kompanitë të marrin, është si rrezik edhe për kompanitë edhe vështirë për në me ardhë në punë. Kështu që KosovaJob e ka lehtësuar këtë punë edhe e ka bërë shumë më të lehët që edhe në me marr eksperienca tona edhe me qenë të gatshëm për treg. Si për ne edhe për kompanitë unë mendoj që është goxha një sistemi mirë”, ka thënë ai.
Përgjatë eventit përfaqësuesit e bizneseve/ kompanive patën mundësi që t’u demonstrohet mënyra më e lehtë dhe e shpejtë për të filtruar punonjësit e tyre potencialë.
Të gjithë punëkërkuesit, gjithashtu do të njoftohen se si mund të krijojnë profilet e tyre brenda KosovaJob dhe të bëhen pjesë e së ardhmes së punësimit – mundësisë ideale për të arritur te vendi i tyre i punës pa shumë përpjekje.