Më shumë se 500 pjesëmarrës kanë shënuar “Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit”.
Ngjarja që sivjet shënohet me moton ndërkombëtare “Volunteer for an inclusive future” (Vullnetar për një të ardhme gjithëpërfshirëse), është organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në bashkëpunim me Zyrën e Qeverisjes së Mirë/ Zyra e Kryeministrit, Misionin e OSBE-së në Kosovë, Zyrën e UNICEF-it, UN Volunteers dhe OJQ-në “Lens”.
Feim Hoxha, drejtor i Departamentit për Rini në MKRS, tha se vullnetarët luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë dhe ndihmojnë shoqërinë për t’i kapërcyer hendekët mes qeverive, sektorëve dhe organizatave të ndryshme.
“Vullnetari është një person që bënë punë pa pare. Puna e tyre nuk bazohet në asnjë lloj lakmie dhe shpërblimi material. E kush më mirë se kosovarët e kanë dëshmuar këtë vullnet gjatë ditëve të kaluara kur u dolën në ndihmë vëllezërve nga Shqipëria pas tërmetit që ndodhi atje”.
“A ka shpërblim më të madh se të shpëtosh një jetë, ta ndihmosh një person të ushqehet apo ta strehosh i cili është i pastrehë. Vullnetarët luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë, vullnetarët ndihmojnë shoqërinë për t’i kapërcyer hendekët mes qeverive, sektorëve, organizatave dhe ngrisin kauza së bashku për të bërë vepra të mira”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Braathu: Mbështetja që Kosova i dha Shqipërisë pas tërmetit është për çdo lëvdatë
Shefi i misionit OSBE në Kosovë, Jan Brathau, foli për vullnetarët nga Kosova të cilët u dolën në ndihmë shqiptarëve pas tërmetit që ndodhi ditë më parë atje.
“Gjatë këtyre ditëve pas tërmetit në Shqipëri të gjithë jemi prekur nga ngjarja dhe gjithë ndjejmë keqardhje dhe dhembshuri dhe mund të them se mbështetja që i ka dhënë Kosova Shqipërisë është për çdo lëvdatë. Për këtë traditë të shqiptarëve për tu zgjatur dorën dhe jo vetëm tani që ndodhi tërmeti, por mos ta harrojmë edhe ndihmën që ka ndodhur gjatë viteve të 90-ta të organizatës “Nëna Terezë” që ka bërë një punë të mrekullueshme gjatë viteve të vështira. Vullnetarizmi nuk është diçka e shpikur këtu në Kosovë, është një traditë dhe ndoshta është harruar paksa, por është ringjallur”, tha Brathau, raporton EO.
Abit Hajredini nga Zyra e Kryeministrit, tha se janë duke punuar me përkushtim që ta nxisin vullnetarizmin. Sipas tij, në Kosovë është i rregulluar një segment e i cili ka të bëjë me të rinjtë.
“Ne kemi bërë një hap të rëndësishëm në infrastrukturë që ndihmon vullnetarizmin, por që duhet edhe më shumë punë. Ne në Kosovë kemi rregulluar vetëm një segment atë që ka të bëjë me të rinjtë, por vullnetarizmi duhet të përfshihet më gjerë dhe jemi duke u punuar më shumë përkushtim që ta nxisim vullnetarizmin edhe më shumë atë që e bëjnë qytetarët e të gjitha moshave e jo ta ngufatim atë. Koncept-dokumenti e ka këtë përbërje dhe jemi duke punuar në këtë drejtim së bashku me MKRS-në, UNICEF-in e shumë organizata të tjera”, tha ai.