Kosovarët i lënë tokat djerrinë, mbjellin më pak grurë se në vitin e kaluar

Prishtinë | 09 Maj 2019 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Kosova duket se as këtë herë nuk do të arrijë që të sigurojë bukën për vete. Madje, këtë vit shifrat po dalin të jenë edhe më shqetësuese. Gjithë kjo meqenëse sipërfaqet e mbjella me grurë janë ulur për rreth 20 mijë hektarë krahasuar me vitin e kaluar. Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se arsye për këtë janë kushtet klimatike, derisa deklarojnë se edhe këtë vit importi nga shtete e tjera do të jetë i domosdoshëm.Arjeta Shabani

Sipërfaqet e mbjella me grurë me kalimin e viteve vetëm sa po shkojnë duke u zvogëluar. E arsyeja kryesore për këtë po del të jetë mungesa e shiut.

Si pasojë edhe këtë vit, Kosova do të detyrohet të importojë grurë e miell nga shtetet e tjera.

Drejtori për Politika Bujqësore dhe Tregje në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaqi i ka thënë Gazetës Express se këtë vit me kulturën e grurit janë mbjellë vetëm 50 hekatarë të tokës bujqësore.

Deklaron se krahasuar me vitin e kaluar, sivjet ka më pak sipërfaqe të mbjellë me grurë.

“Këtë vit me kulturën e grurit janë të mbjellura 50 mijë hektarë tokë. Jo përkundrazi. Këtë vit janë të mbjellura më pak sipërfaqe me grurë. Vitin e kaluar kanë qenë të mbjellura 70, 000 ha”, ka thënë Cikaqi.

Sipas tij, arsyeja kryesore që ka ndikuar që kosovarët të mos mbjellin grurë janë kushtet klimatike.

 “Arsyeja kryesore ishte kushtet klimatike që dominuan në vjeshtën e vitit 2018, e që kishte mungesë të reshjeve të shiut në afatin optimal të mbjelljeve të grurit, elbit dhe drithërave të tjera dhe kjo ndikoi që të mbillet sipërfaqe më e vogël me drithëra”.

Në MBPZHR besojnë që sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore të rriten gjatë mbjelljeve pranverore.

“Besojmë që sipërfaqet do të jenë më të larta gjatë mbjelljeve pranverore me kultura të tjera bujqësore e që nënkupton se ato sipërfaqe që nuk kanë mundur të mbillen në vjeshtë, tani në pranverë të mbillen me kultura të tjera bujqësore, si p.sh me misër, tërshërë, patate dhe elb pranveror”, thuhet në përgjigjet e Cikaqit drejtuar Gazetës Express.

E me sipërfaqet që janë të mbjella aktualisht me grurë nuk arrijnë të mbulohen kërkesat e qytetarëve.

Cikaqi thotë se edhe këtë vit, importi i grurit ose direkt miellit do të jetë i detyruar. Por, se çfarë sasie të grurit do të ketë nevojë të importohet, ai thotë se kjo mbetet të shihet pas realizimit të procesit të korrje-shirjeve.

Deklaron se në vitin e kaluar ishin prodhuar mbi 250 mijë tonë grurë.

“Bazuar në sipërfaqet e mbjellura me grurë dhe rendimentit mesatar ndër vite, nënkuptohet se do të ketë nevojë për importim të grurit ose direkt të miellit, por për çfarë sasie, kjo mbetet të shihet pas realizimit të procesit të korrje-shirjeve dhe sasisë së përgjithshme të grurit që sigurohet mbas korrjeve. Importimi i grurit bëhet nga vende të ndryshme, duke filluar nga vendet e rajonit e më gjerë”, ka thënë Cikaqi.

E mungesës së grurit në vend, më së shumti hajrin do të ia shohin vendet e rajonit prej të cilave Kosova edhe e siguron importin. Edhe këtë vit gruri e mielli pritet  të importohen nga shtete, si: Hungaria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Austria dhe Kroacia.

Për rënien e rendimentit të grurit kishte folur kohë më parë edhe Kryetari i Federatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri.

Tahiri kishte thënë se përveç reshjeve, në rënien e rendimentit të grurit po ndikon edhe mosaplikimi i masave të duhura agroteknike, pasi bujqit ende punojnë në mënyrë primitive, për shkak të kushteve jo të mira financiare.

Gjersa kishte shtuar se prodhuesit bujqësorë nuk po kanë leverdi të kultivojnë kultura të grurit, për shkak të çmimit të ulët të grurit dhe sasisë së madhe të importit nga vendet e rajonit, kryesisht nga Serbia.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës vitin e kaluar ka miratuar vendimin për kompensim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara këtë vit nga reshjet e shiut dhe breshrit nëpër komunat e Kosovës.

Krahas kësaj, Qeveria kishte autorizuar Ministrinë e Financave për krijimin e një fondi të veçantë për vitin 2019 dhe themelimin e Komisionit që do të krijojë sistemin e sigurimeve të prodhimtarisë bujqësore në Kosovë, për ta stabilizuar tregun e bujqësisë në vend dhe për t’i dhënë përkrahje kësaj fushe.

Ndryshe, prej 415 mijë e 683 hektarë tokë të shfrytëzueshme bujqësore sa ka vendi, në vitin 2017 me kultura bujqësore janë mbjellë vetëm 187 mijë e 222 hektarë tokë.

Pjesa më e madhe e kësaj toke, nga qytetarët është lënë livadhe e kullosa.

Por, që nga viti i ardhshëm kosovarëve do t’iu duhet të zgjedhin nëse duan t’i punojnë tokat ose të paguajnë për to.

Në Ministrinë e Bujqësisë kanë deklaruar se të gjithë qytetarët të cilët nuk punojnë apo kultivojnë tokat bujqësore, nga fillimi i vitit 2020 do të duhet të paguajnë tatim ekstra në pronë.

Niveli i taksave për çdo kategori të tokës bujqësore do të përcaktohet nëpër komuna veç e veç në bazë të vlerës së tokës dhe lokacionit të saj./Gazeta Express

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme