Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë përcjellë me vëmendje dhe kureshtje edhe në Kosovë.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve është pritur me padurim, pavarësisht se kush do të fitojë, kosovarët qëndruan pranë ekraneve televizive deri në orët e para të mëngjesit duke pritur rezultatet e zgjedhjeve, raporton Ekonomia Online
Disa qytetarë zgjedhjen e Trump president e vlerësojnë si një zgjedhje të mirë për Kosovën, e disa thonë se kanë preferuar dhe Kamala Harris.
Qytetari, Bedri Pajaziti tha se ishte mjaftë kureshtarë se kush do të fitonte.
“Kemi përcjell zgjedhjet. Kemi qëndruar pranë ekraneve televizive deri në orët e hershme të mëngjesit duke pritur rezultatet sikur të ishin zgjedhjet brenda shtetit tonë. Ishim kureshtar ta dimë se cili po prinë, cili po shkon në epërsi, kështu që i kam dëgjuar edhe raportimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të njerëzve tanë që i kemi atje të lobit shqiptar reagimet e tyre, idetë e tyre kështu që në fund e kuptuam që Trump është në epërsi dhe për mua ishte më mirë”, ka thënë Pajaziti.
Pajaziti beson se Trumpi do të sjellë paqe në vendet ku po zhvillohen luftërat.
“Po ne nga këtu e shohim më një këndvështrim krejtësisht tjetër ndoshta, e shohim diçka pozitive e shohim, pra po i referohem fjalës së Grenelit ku tha se ‘shpëtoj bota edhe Amerika’, por mendoj edhe unë njëjtë se ka shpëtuar bota dhe Amerika sepse Trumpi është më paqësor edhe po shpresoj dhe besoj që Trump do ta sjellë një paqe në vendet ku po zhvillohen luftërat”, tha ai.
“Unë po i referohem prapë një fjale nga Kosova, tashmë që e kam dëgjuar, që pavarësisht fitoreve të partive politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raportet e tona nuk ndryshojnë sepse gjithherë në dy partitë politike që i kanë pasur zgjedhjet ne e kemi edhe pavarësinë me një parti edhe lirinë me një parti. Kështu që ne i kemi raportet mirë me dy partitë, por një shpresë pak më e madhe është tek Trump, kështu po besoj dhe kështu po shpresoj”, theksoi Pajaziti.
Ndërsa, Abdi Fehri tha po ashtu se i ka përcjell me shumë vëmendje zgjedhjet në SHBA.
“Gjithë kohën kanë lajmëruar se rezultati është shumë i ngushtë, nuk dihet, nuk mund të parashikohet se kush do të jetë fitues, por qe sot u zhgënjyem të gjithë, nuk më pëlqen Trump sepse i kam disa arsye personale. Unë mendoj se ndryshon se ka afër Grenellin, nuk mundet me qenë mirë. Edhe shyqyr, fati jonë janë kryer disa punë në veri të Mitrovicës sikurse që është ajo targat e regjistrimit të veturave, dinari, u vu një farë rendi atje në veriun e Mitrovicës, se mos me u kry ajo punë, vaj halli me na ardhë Grenelli e mos me i kry ato punë”, ka deklaruar ai.
Hamëz Lladrovci thotë se ka pritur që amerikanët do të vendosin më ndryshe, por siç u shpreh ai “çdo gjë që vjen nga Amerika ne dimë ta gëzojmë, atëherë do ta pranojmë edhe vendimin e popullit amerikan”.
“Unë mendoj që ajo gjëja është më minimale e mundshme në raport të Kosovës dhe Amerikës, është interesi global, politikat globale janë më me rëndësi e aty besoj që sikurse që i kemi parë deri më tani që ka pasur lëvizje, por jam i sigurt dhe mbanë në mend që do të ketë lëvizje edhe më të mëdha si për shembull tek rendi dhe siguria botërore që ka lëvizur shume prej ardhjes së herës së parë të Trump edhe tani do të ketë se sikur të themi e ka marrë guximin për herën e dytë që e mori votën dhe pushtetin, atëherë ai do ta bëjë boom edhe më të madh”, tha Lladrovci.EO