Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të besojnë se ekstremizmi i dhunshëm mbetet një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.
Shtatëdhjetepesë për qind e të anketuarve që janë përgjigjur në raportin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) mbi perceptimin e qytetarëve ndaj luftëtarëve të huaj të kthyer në Kosovë, besojnë se ekstremizmi i dhunshëm paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Raporti konstaton se besimi i qytetarëve në institucionet kryesore si: qeveri, kuvend, gjykata dhe prokurori është shumë më i vogël sesa në Policinë e Kosovës, e cila për nga perceptimi i qytetarëve konsiderohet si një nga institucionet më të besueshme.
Besim të qytetarëve nuk gëzon as Bashkësia Islame e Kosovës, institucion ky që ka pësuar rënie të besueshmerisë në krahasim me dy vjetët e kaluar.
“Njëzetepesë për qind e të anketuarve konsiderojnë se ekstremizmi i dhunshëm me bazë fetare paraqet kërcënim. Rreth gjysma e të anketuarve e shohin ekstremizmin politik si kërcënim, në krahasim me 30 për qind që e shohin dhunën etnike si një kërcënim për sigurinë kombëtare”, thuhet në raportin e QKSS-së.
Vetëm 34 për qind e të anketuarve janë të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare, ndërsa 15 për qind e të anketuarve janë të përkushtuar ndaj çështjes fetare.
Të dhënat tregojnë se të anketuarit më të rinj i kultivojnë ndjenjat fetare më shumë sesa brezi i vjetër.
Kjo gjetje është në përputhje me raportin e QKSS-së të vitit 2015.
“Pesëdhjetedy për qind e të anketuarve më të rinj (nga 18-35 vjeç) preferojnë të angazhohen për një çështje fetare më shumë sesa për një çështje kombëtare, krahasuar me 72 për qind të të anketuarve më të vjetër (mbi 35 vjeç) që do të angazhoheshin për një çështje kombëtare”, thuhet në raport.
Sa i përket rrezikut që qytetarët shohin nga të kthyerit nga zonat e konfliktit, raporti i QKSS-së konstaton se të anketuarit në zonat rurale mendojnë se ish-luftëtarët e kthyer paraqesin rrezik më të lartë në krahasim me të anketuarit në zonat urbane.
“Të dhënat tregojnë se 62 për qind, ose shumica e të anketuarve, thonë se nuk do të pranonin ish-luftëtarë të kthyer në lagjen ose komunitetin e tyre, ndërsa vetëm 25 për qind e të anketuarve deklarojnë se do t’i pranonin të kthyerit me mbikëqyrje të vazhdueshme nga shteti”, thuhet në raport.
Të dhënat tregojnë se rajonet si Prishtina, Mitrovica, Peja, Gjakova, Ferizaj dhe Mitrovica e Veriut hezitojnë të pranojnë luftëtarët e kthyer në komunitetin e tyre.