Kosovarja ka rrezikuar jetën e të bijës, dëbohet nga Zvicra

Prishtinë | 31 Tet 2016 | 09:47 | Nga

Gjashtë vite pasi ishte dënuar për shkaktim lëndimi trupor dhe rrezikim jete të vajzës së vet, një kosovare 44 vjeçare është rigjykuar me motivin se është e sëmurë psikikisht. Por, ndonëse dënimi i ri është dukshëm më i ulët, ajo nuk i shpëton dot dëbimit nga Zvicra në Kosovë.

Gjatë plot tri orëve sa ka zgjatur seanca e gjykimit kosovarja 44 vjeçare nuk ka pushuar së qari. Para një muaji ajo është dëbuar nga Zvicra, por me një vizë asaj i ishte mundësuar të vinte në Zvicër për të marrë pjesë në gjykimin e saj, që u zhvillua të mërkurën, shkruan zürichseezeitung.ch. Në fund të muajit ajo duhet të kthehet sërish në Kosovë, ku jetojnë prindërit e saj, të cilët janë shumë të vjetër që të mund të kujdesen për të, ankohet 44 vjeçarja.

Ndërsa atë e mbështesin ende fëmijët e saj të cilët bashkë me babanë e tyre jetojnë ende në Zvicër.

Por ka qenë pikërisht dhuna e rëndë që ajo ka ushtruar ndaj njërës nga vajzat e saj që e ka shkaktuar dënimin dhe pastaj dëbimin e saj në Kosovë. Ajo e kishte rrahur atë me një kabllo elektrike, ndërsa si shkak për shpërthimin e saj ndaj vajzës kishte përmendur dyshimin se ajo po konsumonte drogë.

Gjykata e Qarkut See-gaster e kishte dënuar në vitin 2011 gruan me 24 muaj burg me kusht, ndërsa dënimi lidhej edhe me masën e dëbimit, përcjell albinfo.ch. Edhe Gjykata Federale e Zvicrës, ku kosovarja qe ankuar, në shkurt të vitit 2015 kishte vendosur kundër saj, pra ajo duhej të kthehej në Kosovë.

Që nga momenti kur i është bërë e qartë se është e detyruar të lëshojë Zvicrën, pjesën më të madhe të kohës ajo e ka kaluar në klinika psikiatrike. Ndërsa me marrjen e vendimit përfundimtar për dëbim, ajo ka bërë disa përpjekje për vetëvrasje.

Dy ekspertiza mjekësore që i janë bërë, kanë konstatuar te ajo një ulje të lehtë deri të mesme të aftësisë së veprimit. Kjo ka bërë që Gjykata e Kantonit të miratonte kërkesën për rishikim që e kishte bërë avokati i gruas. Edhe pse vendimi i Gjykatës së Qarkut tashmë ishte i plotfuqishëm, ajo ishte detyruar të merrej sërish me rastin. Një veprim jo i zakonshëm edhe për juristët.

Në procesin e parë të mbajtur në Uznach, ndonëse ishte bërë fjalë për një sëmundje eventuale psikike, askush nuk kishte kërkuar të bëhej ekspertizë. Ndërkaq, gjykata nuk ka ndërmarrë një gjykim krejtësisht të ri të rastit, çfarë e kishte kërkuar mbrojtja.

Kështu, gruaja mbetet e dënuar për rrezikim jete dhe për lëndim të thjeshtë trupor, në të dyja rastet.

Mirëpo sëmundja psikike ka një ndikim të theksuar në masën e dënimit. Kështu, gjyqtarët ia kanë ulur dënimin për një të tretën. Kështu, në vend të 24 muaj heqje lirie, ajo është dënuar me vetëm dhjetë muaj me kusht dhe me gjobë me kusht prej 30 njësish ditore nga 100 franga.

Kjo masë e ulët ndëshkuese, sikur të ishte shqiptuar në procesin e parë, me siguri nuk do të çonte në dëbimin e gruas në Kosovë. Kjo për faktin se jetësimi i Iniciativës për dëbim kërkonte që dëbimi të bëhet për të dënuarit me 12 muaj burg e më shumë.

Mirëpo, gjyqtarët e Gjykatës në Uznach nuk kanë kompetencë për të ndryshuar këtë masë ndëshkuese (dëbimin). Prandaj, kosovarja duhet të lëshojë Zvicrën, edhe përkundër faktit se tashmë edhe vet viktima, vajza e saj është shprehur kundër dënimit të së ëmës.

Ajo ishte e pranishme në sallën e gjyqit të mërkurën dhe shpërtheu në lot kur e ëma tha se për të kishte rëndësi vetëm mirëqenia e familjes, ndërsa vetë nuk kishte më përse të jetonte.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme