Nënshkruhet marrëveshja për Transportin Rrugor Ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave me Bullgarinë
Ministri i Infrastrukturës Lufti Zharku, së bashku me një delegacion të fushës së Transportit Rrugor, të udhëtarëve dhe mallrave, po qëndrojnë në Sofie të Bullgarisë me ftesë të homologut të tij bullgar, Yvaylo Moskovski.
Delegacioni kosovar i udhëhequr nga ministri Zharku nënshkruan marrëveshjen e re për ndryshimin e funksionimit të Transportit Rrugor Ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave në mes Republikës së Kosovës dhe Bullgarisë. Me këtë rast shfuqizohet marrëveshja e më hershme e nënshkruar më 27 qershor 2011.
“Marrëveshja e re rregullon transportin rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve për transportin bilateral, transit me vendet e treta dhe ka për qëllim avancimin e tregtisë dhe të marrëdhënieve ekonomike, duke pasur parasysh mbrojtjen e mjedisit dhe të njerëzve, shfrytëzimin racional të energjisë, shtimin e sigurisë në komunikacionin rrugor dhe lëvizjen e lirë të udhëtarëve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve”, njofton Ministria e Infrastrukturës.
Kjo Marrëveshje është mbështetur në ndryshimet e infrastrukturës ligjore të vendeve respektive, e cila ka të bëjë me rregullimin e çështjeve të pagesave rrugore dhe shfrytëzimin e rezervuarve të karburanteve normale të automjetit, të cilat janë ndërtuar nga prodhuesi dhe janë të destinuara për ngasjen e automjetit dhe funksionimin e mjetit motorik, që ndërlidhen me aktivitetet e transportit rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, ndërmjet palëve kontraktuese Kosovës dhe Bullgarisë.