Kosovë, as Zoti nuk do të të ndihmojë!

Prishtinë | 08 Shk 2017 | 20:06 | Nga Beqë Cufaj

Kanë hyrë në vitin e tretë të Qeverisjes dhe ishte kjo hera e parë që të tre dolën në një takim publik. Hashimi, Isa dhe Kadri Veseli.

Pas atij të famshmit e fshehtit në Restorantin Renesansa në verën e vitit 2014 kur e shkatërruan LVAN-in, ishte kjo hera e parë që u shfaqën (zyrtarisht): me lajme.  Njoftuan që duan t’i përmbushin disa obligime. Sakësisht tre: demarakcionin, asocicacionin dhe ushtrinë.

Qeveria e të treve.

Koalicioni i dy partive (më) popullore: PDK-së dhe LDK-së.

Qeveria e të treve e cila ka hyrë në vitin e tretë të drejtimit të vendit nga Data 9 Dhjetor e vitit 2014 dhe në vitin e tretë të punës don të bëjë punë që është dashur t’i ketë kryer kahmoti.

Në vend të kësaj faturën e dështimeve e ka të shumëfishtë.

T’i numëroj disa:

Dështimi i parë: Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë. Vetëm fakti që kjo gjykatë do t’i ketë as më pak e as më shumë se 20 gjyqtarë tmerron! 20 Gjykatës për vendin e vogël që i thonë Kosovë dhe ka veç 2 milion banorë. Koalicioni që lufën shekullore për liri e shëndërroi në luftë ku një lëvizje popullore dhe çlirmtare e shëndërroi në luftë vrastare! (Për kuriozitet: 40 Gjyqtar i ka ICTY për krejt ish-Jugosllavinë e cila kishte 22 milion banorë!).

Dështimi i dytë: Kosovës ia hoqën qafe mbi 70.000 qytetarë që i katandisën si “azilantë” nën urat e fshatrave të Francës, kampet e kazermave amerikane me sirianë e afganë në Gjermani. Dhe e vulosën si vendin që ka azilkërkues sa edhe (sërish) sirianë e afganë.

Dështimi i tretë (në pako): Kosovës ia vizatuan hartat e reja të Demarkacionit e Asociacionit, pa i hequr qafe këtu edhe zbukurimet në forma muralesh me kokarda çetnikësh.

Dështimi i katërt: izolimi i mëtejmë i Kosovës. S’ka viza. S’ka vende pune. S’ka e s’ka e s’ka.

Krejt premtimet e mundshme të cilat PDK e LDK apo LDK e PDK i kanë bërë këtij populli i këtij nënqielli kanë dështuar.

Zoti të ndihmoftë Kosovë e rropatur dhe poshtëruar.

Me 27 vjet LDK e 17 vjet PDK!

2.

Ua kam këtë pyetje që të treve. Së pari Fatmirit (Limajt), së dyti Ramushit (Haradinajt) dhe së treti Albinit (Kurtit).

Fjalë për fjalë dhe veç e veç: “Keni parë apo dëgjuar ndonjëherë që në historinë e Kosovës, një i burgosur për politikë… për çfarëdo politike- nga NDSH-istët përmes Adem Demaçit deri tek (ja po i them!) Azem Vllasi a Remzi Kolgeci (se do ti, edhe këta kanë qenë në burgje…) të jenë kthyer në poste politike publike?… Dhe deri tek ju… tre”?!

Fatmiri, Ramushi, Albini.

Treshja e cila prejse është liruar nga burgu janë me e në parti por në poste publike nuk arritën që nuk arriten të hyjnë a kthehen.

(E kam pyetur edhe Adem Demaçin për këtë çështje… Por s’është vendi ta them përgjigjen e tij)

Dhe tani: a i kujtohet dikujt se çfarë flitej dhe diskutohej para një viti? Para një viti krejt Kosova shikonte drejt 17 Shkurtit. Jo festës së përvjetorit të pavarësisë. Por festës së tubimit të opozitës. Opozita atbotë quhej dhe bëhej nga VV!-ja, AAK-ja, Nisma e plot popull…

Nuk ua njoh partitë sepse s’e di si funksionojnë dhe veprojnë.

Ua njoh historinë, vuajtjet, “çështjen” dhe çështjen për të cilën kanë rënë e janë dergjur nëpër burgje të Beogradit e Hagës…

Dhe i shoh sot, që të tre: njëri (Fatmiri) i rrënuar përtoke me akuza bizare për vrasje; tjetri (Albini) i njollosur me akuza fashiste pse shëtit vajzën e tij me karrocë në një fshat të Europës dhe Ramushi i kapërthurur mes paqartësisë dhe pabesisë me të njejtat tema të cilat i ka përmbyllur qe 3 vite.

Që të tre të katandisur.

Për një shkak dhe me një dënim: sepse s’e çuan deri në fund punën që e nisën para 1 viti.

Dhe tash pyes dhe pyetemi për pse-në?

Them se do të vazhdojnë t’i katandisin derisa të mos e kuptojnë që të tre, ndaras a bashkë që nëse edhe njëherë do t’ju vie shansi duhet ta PËRMBYSIN këtë regjim që e ka burgosur një vend dhe një popull.

Sepse çlirimi i kësaj Kosove kështu nuk do të vie as nga Zoti i cili seç e ka atë-ndihmomë pak të të ndihmojë shumë…

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme