Kosovës ndaj Maltës i mungojnë dy titullarë të tjerë

Prishtinë | 03 Qer 2021 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

“Dardanët” e kanë marrë rrugën drejt Austrisë pa dy titullarët që luajtën ndaj San Marinos, Vedat Muriqi dhe Samir Ujkani. Të dy kanë kërkuar leje nga trajneri Bernard Challandes

Vedat Muriqi dhe Samir Ujkani nuk do të jenë pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës në miqësoren me Maltën, shkruan Gazeta Express. Në fakt, Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se dy futbollistët që luajnë në Itali, njëri tek Lazio e tjetri në Torino, kanë marrë leje nga trajneri Bernard Challandes për të mos u përfshirë për këtë lojë.

Siç dihet, Muriqi shkëlqeu ndaj San Marinos të martën mbrëma duke i realizuar katër gola, kurse Ujkani ishte titullar edhe falë mungesës së portierit Aro Muriç. Ndërkohë, për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen me San Marinon, me ekipin nuk ka udhëtuar as Lorik Emini. “Dardanët” pasditen e sotme do ta zhvillojnë stërvitjen në Klagenfurt të Austrisë, ndërkohë që ndeshja me Maltën do të luhet të premten nga ora 18:00.

Më pas, ekipi kombëtar i Kosovës, i përbërë kryesisht nga lojtarët e Superligës dhe nga disa prurje të reja, që shihen me potencial për të ardhmen, do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore në Antalya të Turqisë, ndaj Guinesë më 8 dhe kundër Gambisë më 11 qershor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme