Kryeshefi ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Evetar Zeqiri ka thënë se konsumi i energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës, ka rënë në krahasim me vitin 2023.
Tutje, ai shton se “Pas fillimit të operimit të ndërmarrjes Elektrosever Sh.p.k nga 1 janar 2024, dhe marrjes përsipër të nominimit të energjisë elektrike për konsumatorët në komunat veriore, kur për herë të parë ka filluar të faturohet energjia e konsumuar në pjesën veriore, është bërë një krahasim i konsumit të energjisë elektrike për tetë muajt e parë të vitit 2024 krahasuar me tetë muajt e vitit 2023”.
“Ajo çfarë vërehet është se ka një rënie të dukshme në konsum të energjisë elektrike në komunat veriore. Për tetë muajt e parë të këtij viti (Janar-Gusht, 2024), vërehet gjithsejtë një rënie prej 35% më ulët krahasuar me konsumin e energjisë elektrike të vitit paraprak për pjesën veriore”.
Zeqiri tregon se çfarë mund të ketë ndikuar në rënien e konsumin në komunat veriore.
“Fillimi i pagesës së energjisë elektrike, masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për luftimin e informalitetit, masat për energji efiçiente që janë ndërmarrë vitet e fundit dhe vetëdijesimi i qytetarëve, mund të kenë ndikuar në konsum më të ulët në pjesën veriore”, tha ai.